RTSH 24 Live

Sociale

Vajza e Defrim Methasanit fiton betejën me sëmundjen e rëndë: Më duhej të tregohesha e fortë për familjen

27/03/2024

Vajza e Defrim Methasanit fiton betejën me sëmundjen e rëndë: Më duhej të tregohesha e fortë për familjen

Luna Methasani, vajza e gazetarit të njohur Defrim Methasani ka arritur të fitojë betejën me sëmundjen e rëndë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Luna Methasani përmes një postimi në Facebook ku tregon se ka mposhtur kancerin.

Gjithashtu ajo ka treguar përjetimet në një vit brenda pavijonit onko-hematologjise, në Berlin, ndërsa shkruan se më e rëndësishmja është lufta që vjen më pas.

Falë Zotit dhe mjekëve, tani për tani betejën e fitova, por më e rëndësishmja është lufta që vjen pas! Të jetuarit e kemi në dorë, duke e shijuar e duke i buzëqeshur momenteve të bukura që na krijojnë kujtimet me njerëzit që duam!

Lutem për të gjithë ata që po përjetojnë të njëjtën situatë, mos e humbisni kurrë shpresën, ki besim tek Zoti dhe vetja jote e kapur fort pas muzës që të frymëzon. Dielli do të dalë përsëri pavarësisht rrebeshit që po përballeni, se fuqia e lutjeve “shkund” malet”, shkruan ndër të tjera Luna Methasani

Ajo shkruan më tej se i dashur të tregohet e fortë për familjen e saj edhe kur nuk ndihej e tillë.

“Vajza e gazetarit Dëfrim Metahasani@lunamethasani ka fituar betejën... Kjo ishte fraza që kam dëgjuar më shumë vitin e fundit, aq shumë sa me duket se është me e dëgjuara në gjithë jetën time, nga të njohur e të panjohur që u solidarizuan me mua në luftën me kancerin.

Sa peshë mbante kjo fjali kur e dëgjoja, sepse përtej luftës psikologjike me veten, unë duhet te buzëqeshja dhe tregohesha e fortë për familjen time edhe kur nuk ndihesha e tillë, e ti siguroja ato se ajo sëmundje e egër që kafshon jetën me shpejtësi skëterrë, mua s’do të më mundte dot!”, ka shkruar Luna.

Ndërkaq, vetë gazetari Defrim Methasani teksa falënderon të gjithë, shkruan se vajza e tij nuk do të endet dyerve të spitalit në Tiranë dhe Berlin, por “është pranë nesh në shtëpi, duke menduar rrugëtimin e saj të jetës, falë edhe shpresës së dhënë nga mjekët në Gjermani”

Pas më shumë se një viti vajza ime Luna, bëri të parin postim në fb, duke shprehur mirënjohjen dhe duke dhënë mesazhet e duhura për jetën.

Për momentin, duket sikur betejën me kancerin e fituam dhe tashmë ajo nuk endet dyerve të spitalit në Tiranë dhe Berlin, por është pranë nesh në shtëpi, duke menduar rrugëtimin e saj të jetës, falë edhe shpresës së dhënë nga mjekët në Gjermani.

Falë Zotit, mjekësisë gjermane, por dhe mbështetjes morale e financiare të familjes sonë, gjakut, farefisit dhe miqve të shumtë, ia dolëm të fitojmë betejën më të vështirë me sëmundjen e rëndë, duke e konsideruar një ëndërr të keqe atë çfarë na ndodhi, por duke menduar pozitivisht për atë çfarë e pret Lunën në lulen e saj të jetës”, shkruan gazetari Methasani.

/rtsh.al/