RTSH 24 Live

Aktualitet

Sheshi fundor i Bulevardit të Ri - Së shpejti nis zbatimi i projektit, i hap rrugë krijimit të një poli të ri të kryeqytetit

27/04/2024

Sheshi fundor i Bulevardit të Ri - Së shpejti nis zbatimi i projektit, i hap rrugë krijimit të një poli të ri të kryeqytetit

Së shpejti pritet të nisë puna për zbatimin e sheshit fundor të Bulevardit të Ri të Tiranës. I gjithë projekti do t’i japë zhvillim zonës duke krijuar një pol të ri të Tiranës.

Dikur një zonë informale, sot Bulevardi i Ri ka gjithë infrastrukturën që i nevojitet zhvillimit të një lagjeje të re dhe sheshi fundor është përmbyllja e këtij projekti.

Drejtoresha e përgjithshme e investimeve publike në Bashkinë e Tiranës, Ilda Qazimllari, tregon se si do të transformohet kjo sipërfaqe.

“Deri tani ishte ai bulevardi pa qytet, tani atashohet. Do të këtë parkim nën tokësorë e cila do të mundësojë që të gjithë të kenë akses me mjete. Të gjithë do të kenë mundësinë të bëjnë ecje. Do të jetë një pol i cili do të të kthehet në skenë hera –herës", tha drejtoresha. 

Një ndër elementet e projektit lidhet edhe me sistemin e Lumit të Tiranës.

"Ka vërtet ndërhyrje shumë madhore në atë zonë, është pikë kritike pranë lumit, si ai i Tiranës që parashikon prurje. Do të kthehet në një pikë e cila do të jetë dhe  hyrje –dalje e Tiranës në një paralele të saj, në përfundim të procesit të rindërtimit të lagjes “5 Maj” si edhe lidhja me infrastrukturën siç është Loti i 7-të i Unazës", shtoi Qazimllari.

Sheshi fundor i Bulevardit të Ri është një bashkëfinancim i Bashkisë së Tiranës dhe Fondit për zhvillim të qeverisë së Katarit, i cili ka dhënë një grant prej 11 milion eurosh.

Projekti parashikon të realizohet në një afat 3 vjeçar nga nisja e punimeve.

Gazetare: Albana Agolli

/rtsh.al/