RTSH 24 Live

Aktualitet

Tiranë- Miliona paundë nga Britania, vihen në sekuestro preventive llogari bankare, toka, makina

07/05/2024

Tiranë- Miliona paundë nga Britania, vihen në sekuestro preventive llogari bankare, toka, makina

 

 

Pasuri miliona eurosh si: toka, banesa, llogari bankare, makina et., janë vënë në sekuestro preventive nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë ky institucion, i cili bëri të ditur se ka sekuestruar pasuritë e paluajtshme, llogaritë bankare, si dhe 7 makina të shtetasit A.M., i cili është nën hetim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Prokuroria e Tiranës njofton se nga informacioni i marrë dhe verifikimet e kryera, ka rezultuar se në llogaritë e shtetasve A.M. dhe A.Xh., në bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023, kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme.

Dërgesat janë bërë nga shteti anglez dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, ku midis tyre dhe përfituesve nuk provohet asnjë lidhje.

Transfertat bankare në llogaritë e tyre janë bërë pa përshkrim veprimi.

“Lidhur me këto transferta, shtetasi A.M. ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij kanë qenë kapar për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Hetimet që përfshijnë dhe një shtetase britanike

Nga hetimet e deritanishme, prokuroria vlerëson se duhet vendosur sekuestro preventive pasi ekzistojnë dyshime dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi A. M. në bashkëpunim me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen A.Xh. kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në këtë skemë dyshohet se është e përfshirë edhe shtetasja britanike C.P., e cila ka kryer transferta për shtetasin nën hetim, si dhe gjithashtu ka blerë pasuri në bashkëpronësi me të me vlera të konsiderueshme.

“Në transfertën e kryer për blerjen e pasurisë truall, shtetasi A. M. ka deklaruar se të ardhurat kanë qenë kursime familjare të përftuara si pasojë e emigrimit, ndërkohë që rezulton që ky shtetas është kthyer deportiv në vitin 2007 dhe këto para nuk i ka qarkulluar më parë në sistemin bankar, pavarësisht se ka rreth 20 vite që është kthyer nga Anglia. Për këtë arsye, prokuroria kërkon vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasuritë e paluajtshme: Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 363 m2 në Kamzë; Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 237 m2 në Kamëz; Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 649 m2; Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2;  Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga ana tjetër, prokuroria kërkon vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj llogarive bankare të shtetasit A. M, si dhe ndaj llogarive bankare të shtetases A. Xh.

“Vendosje e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” ndaj pasurive të luajtshme (automjete) në pronësi të shtetasit A. M. mjetet: “Smart Micro Compact”; “Hummer H2”; “Suzuki Swift”, “Mazda 2500”; “BMW X6 Xdrive” 35D; “Mercedes Benz ML”, si dhe ndaj pasurisë së luajtshme automjet “Range Rover Evoque””, përfundon njoftimi i Prokurorisë së Tiranës.

/rtsh.al/