RTSH 24 Live

Sociale

Nis procesin e dezinsektimit, vijon deri në tetor në të gjithë Shqipërinë

26/04/2024

Nis procesin e dezinsektimit, vijon deri në tetor në të gjithë Shqipërinë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu,  shpalli nga Shiroka në Shkodër nisjen procesin e dezinsektimit në shkallë vendi.

Ai është një program kombëtar që do t’i kushtohet tërësisht shëndetit publik, për të parandaluar sëmundjet infektive që transmetohen nga mushkonjat në territoret me pushues.

Punonjës të ISHP dhe Operatorit të Kujdesit Shëndetësor janë pjesë e këtij procesi, i cili do të zgjasë për 6 muaj.

Krahas evidentimit të zonave ku ka larva mushkonjash, do të bëhet edhe procesi i dezinsektimit.

Ky është një proces që nis nga muaji maj e vazhdon deri në shtator – tetor. Monitorimi entomologjik i vazhdueshëm do të kryhet çdo dy-tre javë, në varësi edhe të situatës.

Pas Shkodrës dezinsektimi do të vijojë më pas edhe me të gjitha qytetet e tjera që kanë vijë bregdetare dhe që kanë zona 
të nxehta sa i përket intensitetit të mushkonjave.

“Nga Shkodra do të shkojmë në Lezhë do të zbresim në Durrës, në Fier, do të shkojmë në Vlorë. Pra në të gjithë zonën me një sipërfaqe me mbi 300 hektarë, ku janë laguna, pellgje, ku janë sigurisht edhe kanale apo zona të cilat kanë prezencë të larvave apo të mushkonjave. E gjitha për të siguruar një sezon turistik të qetë”, nënvizoi ministrja Koçiu.

Me këtë rast ajo kërkoi bashkëpunimin e ngushtë edhe me qeverisjen vendore, për të punuar në mënyrë të koordinuar, me qëllim që të sigurohet një mjedis me kushte higjieno-sanitare të përshtatshme, që siguron për pushuesit një sezon të këndshëm pushimi.

/ rtsh.al /