Federata Shqiptare e Futbollit njofton se për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të zhvillojë një mbledhje zyrtare në Tiranë, nën organizimin e Federatës së Futbollit. Ky event i rëndësishëm do të mbahet më 8 shtator 2025 dhe përbën një moment historik për futbollin shqiptar dhe vetë Shqipërinë.
Vendimi u mor nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s gjatë mbledhjes të së martës në Pragë.
FSHF e vlerëson këtë si zhvillim historik dhe si dëshmi e rritjes së ndikimit të Shqipërisë në futbollin europian.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s u morën edhe vendime të tjera. Mes tyre ishte aprovimi i strategjisë së re të UEFA-s për futbollin e vajzave 2024-2030 dhe përcaktimi i fondit të solidaritetit për klubet që nuk marrin pjesë në garat e UEFA-s për periudhën 2024/27.
Po ashtu u vendos që Finalja e UEFA Champions League 2027 nuk do të zhvillohet në stadiumin “San Siro” për shkak se komuna e Milanos nuk ka garantuar rinovimin e stadiumit.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka hapur sërish procesin e kandidimit dhe vendimin përfundimtar do të merret në periudhën maj/qershor 2025.
Gjithashtu Kishinjev i Moldavisë u caktua vendi pritës për Kampionatin Europian të UEFA U-19 Futsal 2025.
Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të zhvillohet në Lozanë, Zvicër, më datë 16 dhjetor 2024.
/ rtsh.al /