Lokalet, baret, diskotekat, klube natës, festa apo ceremoni të ndryshme në mjedise publike dhe të mbyllura, do të përballen me masa të rënda administrative nëse tejkalojnë nivelin e zhurmave që ato përhapin në mjedis.
Por, ndëshkimet administrative do të shtrihen tashmë edhe nëpër banesa në kushtet kur nga këto ambiente tejkalohet niveli i zhurmave të përcaktuara në ligj.
Një udhëzim i përbashkët i tre ministrive, të Turzimit, Shëndetësisë dhe asaj të Brendëshme, kanë përcaktuar nivelet e reja kufi të zhurmës, sipas parashikimeve tashmë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Mjedisi
Mjedis i dhënë, për qëllimet e këtij udhëzimi, ka kuptimin e mjedisit jashtë banese; në brendësi të banesave dhe në brendësi të dhomës së fjetjes; jashtë dhomës së fjetjes; klasa mësimi, institucione-mjedise parashkollore (brenda); dhomat e fjetjes në parashkollor (brenda); oborri i shkollës, vendet e lojërave në shkolla; spitale, salla, dhoma (brenda); spitale, salla trajtimi/operacione; zona industriale, zona tregtare, qarkullim trafiku (mjedis i jashtëm dhe i brendshëm); mjedise publike (mjedis i jashtëm dhe i brendshëm); ceremoni, festivale dhe argëtime; muzikë nëpërmjet kufjeve të dëgjimit; tinguj–zhurmë impulsive nga fishekzjarrët dhe armët e zjarrit; parqet natyrore dhe zonat e mbrojtura.
Subjektet që ushtrojnë veprimtari ekonomike apo sociale, të cilat lëshojnë zhurmë, marrin masa që niveli i zhurmës në mjediset, këtij udhëzimi, të mos tejkalojë nivelet kufi të përcaktuara.
Institucionet e ngarkuara për kontrollin dhe matjen e nivelit të zhurmës, me qëllim respektimin e nivelit kufi të zhurmës, të përcaktuar në këtë udhëzim, kryhen nga: Agjencia Kombëtare e Mjedisit; Policia e Shtetit; bashkia/policia bashkiake.
Agjencia e Mjedisit
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në zbatim të këtij udhëzimi, ka për detyrë të kontrollojë instalimet e pajisura me leje mjedisi që janë burim zhurme, si dhe kantieret e ndërtimit, që i janë nënshtruar procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis, në përputhje me përcaktimet e nivelit kufi të zhurmës, të kryejë matjet e nivelit të zhurmës në mjediset e përcaktuara, bazuar në ankesat e paraqitura nga qytetarët, institucionet publike/private apo çdo subjekt tjetër i interesuar për instalimet dhe kantieret, të kryejë matjet e nivelit të zhurmës, referuar përcaktimeve të Programit Kombëtar të Monitorimit të Gjendjes së Mjedisit.
Policia
Policia e Shtetit, në zbatim të këtij udhëzimi, ka për detyrë të kontrollojë, me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës, veprimtaritë që janë burim zhurme nga muzika, si: lokale, bare, diskoteka, klube nate, restorante etj. Në këtë rast, matja kryhet në mjedise publike, që cënohen nga burimi i zhurmës (mjedis i jashtëm dhe i brendshëm si: rrugë, lulishte, trotuare, kënd lojërash, qendra sociale, muzeume, bibliotekat, libraritë, galeritë, etj.).
Kur konstatohet tejkalim i nivelit të lejuar të zhurmës në këto mjedise, merr masa administrative.
Bashkia
Bashkia/ policia bashkiake, në zbatim të këtij udhëzimi, ka për detyrë që të kontrollojë me pajisje të certifikuara për matjen e niveleve të zhurmës të gjeneruar nga veprimtaritë ekonomike apo sociale që janë burim zhurme,
Në këtë rast, matja kryhet në mjedise publike, që cenohen nga burimi i zhurmës (mjedis i jashtëm dhe i brendshëm si: rrugë, lulishte, trotuare, kënd lojërash, qendra sociale, muzeume, bibliotekat, libraritë, galeritë, etj.).
Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Brendshme, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Policia e Shtetit, bashkitë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Policia Bashkiake.
LISTA E VEPRIMTARIVE EKONOMIKE PER ZHURMAT
1. Furrat e prodhimit të bukës apo produkteve të
brumit;
2. Serviset e automjeteve, gomisteritë dhe pikat e
larjes së automjeteve, në rastet kur nuk janë pajisur
me leje mjedisi;
3. Punishtet/veprimtaritë e saldimit të metaleve,
në rastet kur nuk janë pajisur me leje mjedisi;
4. Veprimtaritë e prodhimit/përpunimit të
duraluminit, në rastet kur nuk janë pajisur me leje
mjedisi;
5. Veprimtaritë e përpunimit të mermerit dhe
gurëve dekorativë, në rastet kur nuk janë pajisur me
leje mjedisi;
6. Veprimtaritë e prodhimit të mobilieve, në
rastet kur nuk janë pajisur me leje mjedisi;
7. Veprimtaritë që për shkak të natyrës së tyre
përdorin vazhdimisht gjeneratorë/ventilatorë, të
cilët lëshojnë zhurmë, në rastet kur nuk janë pajisur
me leje mjedisi;
8. Nyjat e fraksionimit të mineraleve, në rastet
kur nuk janë pajisur me leje mjedisi;
9. Prodhimi i betonit, llaçit, kollës, gëlqeres
(parafabrikateve, blloqeve, paletave etj.), në rastet
kur nuk janë pajisur me leje mjedisi;
10. Punishtet e pijeve alkoolike, produkteve
shtazore dhe bimore, në rastet kur nuk janë pajisur
me leje mjedisi.
/rtsh.al/ a.meta/