RTSH 24 Live

Aktualitet

Udhëtim në Prongji, fshati i traditave dhe historisë

5 orë para

Udhëtim në Prongji, fshati i traditave dhe historisë

Fshati Prongji i njësisë administrative Çepo në bashkinë Gjirokastër është një vend ku natyra dhe tradita bashkohen në harmoni të plotë.

Ky fshat i rrethuar nga male të larta, shkëmbinj dhe përrenj ofron edhe në këtë stinë dimri një peizazh të mrekullueshëm.

Banorët janë të njohur për mikpritjen dhe punën e palodhur.

Në ditët e sotme ata janë të angazhuar kryesisht në blegtori, ndërkohë që një numër i vogël merret edhe me vreshtari dhe frutikulturë. 

"Këtu në fshat janë katër–pesë familje. / Fshatin nuk e kam braktisur. Kam ardhur gjithmonë. Në këtë stinë bëjmë punimet e hardhive ose përgatisim tokën për të mbjellë patate, qepë," thonë dy banorë të fshatit.

Fshati, falë së kaluarës patriotike me tradita të hershme atdhetare dhe mikpritjes së banorëve, por edhe falë afërsisë me rrugën Kardhiq–Delvinë, vitet e fundit po vizitohet edhe nga turistët e huaj.

Fshati tashmë është bërë më i aksesueshëm dhe tërheqës për vizitorët, të cilët duan të eksplorojnë bukuritë natyrore dhe pasuritë kulturore të zonës.

/rtsh.al/