RTSH 24 Live

Kosovë

U sulmuan nga serbët në veri të Kosovës, ushtarët hungarezë të KFOR-it mbeten me këmbë të gjymtuara

13/09/2023

U sulmuan nga serbët në veri të Kosovës, ushtarët hungarezë të KFOR-it mbeten me këmbë të gjymtuara

Dy ushtarë hungarezë të KFOR-it të cilët u sulmuan nga serbët në Zveçan më 29 maj, kanë mbetur me këmbë të gjymtuara.

Ndërkaq, misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një deklarate për mediat theksoi se si pasojë e eskalimit të gjendjes në veri më datën 29 maj u lënduan 30 ushtarë, ku 19 prej tyre ishin nga kontingjenti hungarez, raportojnë mediat hungareze. 

Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës  në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez. Ata kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit”, kishte konfirmuar KFOR.

Ndërkaq, ministria hungareze bëri të ditur në atë kohë se shumica e ushtarëve janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

“Për rikuperimin e tyre, Forcat Hungareze të Mbrojtjes dhe mjekët ushtarakë po bëjnë gjithçka në maksimum.

Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor. Operacioni ka shkuar mirë, gjendja e pacientit është stabile”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

/rtsh.al/