RTSH 24 Live

Kosovë

Edicioni II i Festivalit të Këngës në RTK - Konkurrojnë 16 këngë përgjatë tri netëve

11 orë para

Edicioni II i Festivalit të Këngës në RTK - Konkurrojnë 16 këngë përgjatë tri netëve

Radiotelevizioni i Kosovës është në përgatitjet e fundit të edicionit të dytë të Festivalit të Këngës.

Në një konferencë për medie, drejtori i festivalit, Adi Krasta, tha se festivali është një radiotelevizion brenda një radiotelevizioni që punon tërë ditën e me një tjetër ritëm.

 “Ju duhet ta dini që një memorandum bashkëpunimi mes RTK –së e Ministrisë së Kulturës  është nënshkruar për një periudhë tre vjeçare. Në vitin e parë ministria do t’i jepte 300 mijë euro kurse RTK-ja nga fondi i vetë që i jep shteti, thesari, do të duhej të shpenzonte 50 mijë euro. Në vitin e dytë, pra këtë vit 250 mijë nga Ministria ndërsa RTK 100 mijë euro. Vitin e tretë Ministria do të japi 150 mijë euro ndërsa RTK duhet të planifikojë të shpenzojë 150 mijë euro. Kjo dinamikë është menduar atë kohë me qëllim që RTK të pavarësohet që dikur festivalin ta prodhojë vetë siç bën Radiotelevizioni i Shqipërisë”, u shpreh Krasta.

Drejtori artistik i festivali, Florent Boshnjaku, ka shprehur bindjen se shumë shpejt këngët e këtij festivali do të shkojnë në “Eurosong”.

Në vitin e kaluar e kemi dëshmuar jo vetëm ne, e RTK-ja, por edhe artistët që kanë marr pjesë që me një pasion mund të bëhet diçka jashtëzakonisht e bukur. Jam i lumtur që sivjet jemi në edicionin e dytë e uroj ta mbërrijë të 200-n. Sivjet kemi 16 këngë në konkurrim. Festivali do të jetë 3 net. Natën e parë e të dytën do të prezantohen 16 këngët e në finale shkon gjysma e tyre”, tha Boshnjaku.

Këngëtari, Genc Salihu së bashku me aktoren Drita Kabashi, do të jenë prezantuesit e festivalit të sivjetmë.

“Faleminderit për ftesën e besimin që ma keni dhënë të moderojë festivalin. Jam mirënjohës e i lumtur me presionin e madh që ma bën Adi Krasta duke më thënë sa i mirë do të jem. Të prezantoj pas Adi krastës është si të dalësh të këndosh pas Pavarotit. Çka më gëzon shumë është se ky festival është bërë, tashmë ekziston sepse muzika zbavitëse është një vlerë kombëtare që duhet të ruhet”, u shpreh Salihu.

“Shpreh lumturinë e madhe që këtë vit do ta prezantojë festivalin. Jam gëzuar shumë kur ekipi i festivalit më ofrojë këtë mundësi. Unë jam aktore dhe ky është një teatër i tillë, por muzika ka qenë gjithmonë një pjesë e madhe e jetës time. Përputhja e këtyre dy botërave është një gjë shumë e bukur. Unë jam lindur e rritur në Amerikë dhe të ndodhë kjo përputhje në vendin tim në Kosovë është një bukuri shumë e madhe”, tha Kabashi.

Festivali i Këngës në RTK do të mbahet më datat 24, 25 dhe 26 tetor dhe transmetohet drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës.

/rtsh.al/