RTSH 24 Live

Kosovë

Bregu: Vendimi i Kosovës për të hequr vizat ndaj qytetarëve të Bosnjës është shembull i mirë

14/10/2024

Bregu: Vendimi i Kosovës për të hequr vizat ndaj qytetarëve të Bosnjës është shembull i mirë

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, ka theksuar se është lajm shumë i mirë që Kosova ka vendosur të heqë vizat në mënyrë të njëanshme ndaj qytetarëve të Bosnjës, duke dhënë kështu një shembull të lëvizjes pozitive drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit.

“Me kënaqësi kemi dëgjuar nga Kryeministri kosovar që Kosova në mënyrë unaliterale ka vendosur të heqë vizat për qytetarët e Bosnjës. Ky është një sinjal i mirë që duhet të lëvizë edhe vendimmarrja në Bosnje, sa i përket zbatimit të njërës prej marrëveshjeve që është firmosur e nuk është zbatur deri më tani. Procesi i Berlinit ka mbajtur gjallë frymën dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, kur zgjerimi ishte thuajse fjalë e ndaluar dhe shumë e dëshiruar”, ka thënë Bregu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova, njëanshëm, do të lejojë lëvizjen e lirë për të gjithë poseduesit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës.

 “Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruan sot planin që do të respektojnë për 4 vitet e ardhshme – faza e dytë e Tregut të Përbashkët Rajonal është një plan për rritje të qëndrueshme. Ai është një kuadër unifikues i bashkëpunimit rajonal për mirëqenien e përbashkët ose interesat e përbashkëta në lojën globale. Në të gjitha fushat–digjitalizimi, tregtia, investimet, inovacioni, politikat e gjelbërta etj – që filluan të bëhen të dukshme gjatë fazës së parë të CRM, puna për integrimin ekonomik rajonal përmes planit CRM të nënshkruar sot, ankorohet fort në Planin e Rritjes së BE-së,” tha në Samit Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu.

/rtsh.al/