RTSH 24 Live

Politikë

U dënua me 1 vit burg, Salianji kërkesë Gjykatës së Lartë: Të pezullohet vendimi

01/10/2024

U dënua me 1 vit burg, Salianji kërkesë Gjykatës së Lartë: Të pezullohet vendimi

Ervin Salianji ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të dënimit me një vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Përmes kërkesës së dërguar në Gjykatën e Lartë, Salianji thekson se kërkon pezullimin për ruajtjen e mandatit të deputetit, në një kohë kur ende nuk ka një vendim të KQZ-së për humbjen e mandatit.

“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit.

Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, thuhet në kërkesën e Salianjit.

Një ditë më parë kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të deputetit Ervin Salianjit dhe njoftimin e KQZ-së për vakancën e krijuar. Kërkesa në Gjykatën e Lartë erdhi 4 ditë pas futjes në burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, I cili po vuan dënimin në burgun e Fierit.

Gjithashtu Salianji shkruan se Prokuroria dhe Gjykata u nxituan në ekzekutimin e vendimit për arrestimin e tij duke mos pritur zbardhjen e vendimin dhe rekursin në Gjykatën e Lartë.

“Në lidhje me këtë kërkesë, duke qenë se vendimi i Gjykatë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nuk na është vënë në dispozicion as i arsyetuar dhe as i përmbledhur, si fillim kemi depozituar një “Rekurs të përmbledhur” pranë kësaj gjykate, duke ruajtuar të drejtën për plotësimin e tij pas njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës”, thuhet në kërkesë.

Ervin Saliani u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit me një vit burg për “kallëzim të rremë” për inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës në atë që njihet si çështja “Babale”.

/rtsh.al/