RTSH 24 Live

Aktualitet

U arrestua në Dubai, Ministria e Drejtësisë nis zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit

01/07/2024

U arrestua në Dubai, Ministria e Drejtësisë nis zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit

Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bami në autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo kërkesë është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike. Ministria e Drejtësisë është njoftuar se kërkesa dhe dosja për Bamin janë dorëzuar te pala arabe.

Durim Bami, i shpallu në kërkim ndërkombëtar, u arrestua në Dubai më 10 qershor të këtij viti. Ai është i dyshuar për një sërë veprash penale, ku akuzohet për krime, nga sigurimi i kushteve për vrasje deri tek grup i strukturuar kriminal, kultivim droge dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal.

Durim Bami, bashkë me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do vrisnin ish-deputetin Arben Ndoka. Detyra e Bamit do të ishte sigurimi i informacioneve për lokalizimin e ish-deputetit dhe të njoftonte të tjerët.

Ndërkohë, për vrasjen e Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit, 45-vjeçari ka pasur rol kryesor, atë të organizatorit. Bashkë me ish-policin Altin Morina, ai akuzohet për kultivim narkotikësh në zonën e Krujës. Në të njëjtën dosje ku ngrihen akuzat, SPAK zbardhi edhe rastet kur rivalët e tij kërkonin ta eliminonin fizikisht, ku ndër të tjera thuhej se për kokën e Bamit, kundërshtarët vendosën 1 milionë euro shpërblim.

/rtsh.al/