Festivali i këngës në RTSH, si përçues i muzikës shqiptare në Eurovizion, shënon çdo vit, një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike dhe kulturore të 2024-ës.
Por Shqipëria listoi gjatë vitit që sapo u mbyll rreth 2300 ngjarje kulturore dhe artistike ose rreth 25 % më shumë se viti paraardhës 2023.
Ngjarjet e artit dhe kulturës shqiptare, por edhe rijetëzimi i siteve të trashëgimisë kulturore, e kthyen vendin në një atraksion të jashtëzakonshëm për turistët.
Kryeministri Edi Rama, duke postuar një përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme në art, thotë se ishin 1.3 milion turistë që vizituan sitet e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Artistë nga 21 shtete ishin në Shqipëri për Javët Kulturore duke përfaqësuar artin ndërkombëtar, ndërsa vendi u përfaqësua me dinjitet në Bienalen e Artit Ndërkombëtar në Venecia. U rihapën pas investimeve të kryera me mbështetjen e fondeve të BE për kulturën: Muzeu etnografik në Krujë e Kavajë si dhe në ditët e fundit të dhjetorit edhe Teatri Kombëtar i Kukullave.
Gjatë 2024 u investua edhe për disa projekte të trashëgimisë kulturore, si dhe pati aktivitete për Pavarësinë dhe Çlirimin.
UNESCO gjatë vitit 2024 e regjistroi “Kcimin e Tropojës”, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Gazetare: Denada Shkodrani
/rtsh.al/