RTSH 24 Live

Kulturë

Ngjarjet kulturore të vitit 2024 në Shkodër

01/01/2025

Ngjarjet kulturore të vitit 2024 në Shkodër

Viti 2024 ishte i rëndësishëm për artin dhe kulturën në Shkodër teksa një seri ngjarjesh u shënuan përgjatë tij. Organizimi i Karnavaleve të këtij viti ishte njëri prej tyre. Ato i përkasin një tradite të hershme që mendohet të kenë nisur që në vitin 1860. Festimi i tyre zgjati tre ditë dhe në to mori pjesë edhe Kryeministri Rama.

Treni i “Swing Marathon” mbërriti sërish në stacionin e Shkodrës pas dy viteve mungesë. Udhëtarë ishin “adhuruesit” e muzikës Jazz që sillnin vitet ’40 – ’50 me veshjet e tyre. “Andrra n’tren” i dedikohet ditës ndërkombëtare të kësaj muzike që në Shkodër i ka fillesat në vitet ’20.

Tjetër ngjarje e rëndësishme kulturore ishte koncerti i parë i vitit i Orkestrës Simfonike të Shkodrës që erdhi me tingujt e kolonave zanore të kinematografisë shqiptare. Në muajin qershor ky formacion artistik do të shoqëronte tenorin me famë ndërkombëtare Ramë Lahaj së bashku me artistë të tjerë gjatë koncertit të mbajtur në pikën turistike të Shirokës.

Kinema “Republika” çeli dyert për shkodranët në ceremoninë e hapjes së edicionit të shtatë të festivalit “Ekrani i Artit” dhe kjo ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit.

Biblioteka publike “Marin Barleti” u pasurua me një fond prej rreth 850 librash, pjesë e Bibliotekës së shkrimtarit të shquar Ernest Koliqi. Ajo erdhi falë aktit të dhurimit të Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me revistën “Shejzat” ndërkohë që njëra nga sallat e Bibliotekës mori emrin “Salla Koliqi”, frymëzim edhe për iniciativën e krijimit të Çmimit “Koliqi” pak kohë më vonë.

Suksesi i trupës së Teatrit “Migjeni” me dramën “Vizita” të Davide Iodices në Festivalin “Mess” të Bosnjë-Hercegovinës, Festivali Mbarëkombëtar i Humorit dhe vlerësimi me çmimin e parë të grupit “Shkodra Elektronike” në edicionin e 63-të të FIK përmbyllën një vit të mbarë për kulturën në Shkodër.

Gazetar: M. Gjini   

/rtsh.al/