Ruajtja e traditës nga njëra anë, por edhe kërkesat e larta për bakllava në vigjilje të Vitit të Ri, për Nelën, amvisën nga Korça, kjo periudhë i ka kaluar pritshmëritë.
Porositë kanë nisur një muaj më parë dhe sot ajo numëron 200 bakllava të sherbetosura.
"Kërkesat për bakllava kanë qenë të shumta. Kemi arritur t'i kënaqim të gjithë klientët. Kërkesat e tjera kanë qenë për kadaif, kompekaj, pengjir i themi nga Korça. Për rreth 207 bakllava ne kemi bërë maksimumin, kemi bërë 200 copë. Të gjitha gjërat janë bio, vezët e freskëta, mielli... Vetëm bakllavaja ime do bëhet e fundit nëse do kem fuqi për ta bërë," thotë me të qeshur kuzhinierja Rodinela Bregu.
Traditën e ka trashëguar nga gjyshet, zonjat nikoqire të zonës së Devollit.
"Të preferuara janë turshitë, specat e mbushura me ajkë, domatet, lakrat, sallata të ndryshme që i përgatitim me produktet e fshatit," tregon kuzhinierja.
Kur flet për të kripurat nga zahiretë e dimrit ajo veçon disa. Nela thotë se nga preferencat e larta, lakrori i ka kaluar kufijtë shqiptarë nisur nga turistët e shumtë që e kanë vizituar Tiranën.
Sekreti i mbajtjes në këmbë e traditës përmes gatimeve tradicionale është përkushtimi i përcjelljes brez pas brezi.
Gazetare: Elda Lamja
/rtsh.al/