RTSH 24 Live

Ekonomi

Tre mijë shqiptarë përfitojnë pensione në Kroaci

08/02/2024

Tre mijë shqiptarë përfitojnë pensione në Kroaci

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen me Qeverinë e Kroacisë, nga e cila përfitojnë, të gjitha llojet e pensioneve, më shumë se 3 mijë shqiptarë.

Marrëveshja e negociuar prej shumë kohësh tashmë bëhet efektive me ratifikimin e parlamenteve të të dy vendeve.

Nga marrëveshja  me Kroacinë, përfitojnë, sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar Tregtar, 64 biznese kroate me status aktiv, që operojnë në Shqipëri. Ndër këto, 13 kompani janë me pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj. Sakaq mbi 3000 shtetas shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në Kroaci, përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Finalizimi i marrëveshjes është paraprirë nga një process, përgjatë të cilit janë zbatuar rregullat për koordinimin e skemave të mbrojtjes shoqërore për personat e punësuar, personat e vetëpunësuar dhe punëdhënësit, sipas rregullores të Parlamentit Evropian e të Këshillit Evropian.

Kjo është marrëveshja e 12 që bëhet efektive. Janë gjithsej 16 marrëveshje për njohjen e ndërsjelltë të pensioneve, ndërsa në proces vlerësimi janë tre të tilla. Në mars do të vijohet me takimet në Beograd për marrëveshjen me Serbinë ndërsa do të fillojnë bisedimet edhe me Poloninë, Sloveninë, po gjatë këtij viti, sipas burimeve të televizionit publik në ministrinë përgjegjëse për punësimin. 

Burimet zyrtare thonë se efektet financiare për zbatimin e kësaj marrëveshjeje nuk janë të matshme, sepse maturimi i saj është afatgjatë.

Efektet financiare janë në ngarkim të fondit të sigurimeve shoqërore dhe financohen nga kontributet. Marrëveshja parashikon dhënie përfitimi vetëm për kontributet e paguara.

Marrëveshja konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të personave të punësuar, të  vetëpunësuarit dhe punëdhënësit. 

Bashkimi i periudhave të siguruara, sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme, merren në konsideratë, për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre.

Një marrëveshje të tillë qeveria shqiptare e ka nënshkruar dy ditë më parë edhe me Qeverinë e Italisë, nga e cila përfitojnë më shumë se 550 mijë shqiptare, ndërsa marrëveshja është pa afat, pra që siguron përfitimin e pensioneve për të gjithë shqiptarët që punojnë dhe sigurojnë vite kontributive në Itali. 

Gazetar Bardhi Sejdarasi

/ rtsh.al /