Zhvlerësimi i euros po ndikon në ekonominë shqiptare njësoj si skemat piramidale që tronditën deri në themel buxhetet familjare në vitet '90, sipas ekspertit Alban Zusi.
Ish-zv.ministri i Bujqësisë komentoi të shtunën në RTSH 24 situatën e eksporteve dhe uljen e prodhimit në disa sektorë të ekonomisë.
"Zhvlerësimi i euros është fenomeni ekonomik më negativ i këtyre 30 viteve të fundit. Nuk di një fenomen më të rëndë sesa ky përveç skemave piramidale, të cilat zhvatën dhe shkatërruan xhepat e shqiptarëve. Ka një rënie dyshifrore të përmuajshme të eksporteve. Vetëm gjatë 2023-it kemi 400 milionë euro eksporte të munguara. Sikur ta merrnim 20 për qind kontributin e tyre në buxhetin e shtetit janë 80 milionë euro humbje. Ndërkohë kësti për uljen e borxhit në ekonomi nuk shkon më shumë se 60 milionë euro. Prodhimi bujqësor po ashtu ka rënë në nivelin e 1-2 për qind dhe ka një abandonim të fshatrave e qyteteve, sepse bizneset prodhuese nuk janë më në gjendje të rrisin pagat. Edhe fenomeni i braktisjes është drejtpërdrejt i lidhur me zhvlerësimin e euros. Ekonomia shqiptare po shkon drejt një kolapsi të lehtë," tha ai.
Eksperti i ekonomisë apeloi për politika të mirëfillta rreth turizmit, pasi edhe kjo fushë e suksesshme në teori ka disa të meta, që e pengojnë të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.
"Turizmi ka tre-katër shtylla: njëra është ushqimi, tjetra akomodimi, transporti dhe e katërta, argëtimi ose guida turistike etj. E ardhura e parë e turizmit, e cila do duhej të qëndronte në vend, është ajo nga shtylla e ushqimit. Pra në pjatë turisti duhet të hajë mish vendi, jo mish të ardhur nga Greqia, Brazili, Maqedonia e Veriut, Bullgaria. Së dyti, duhet të përpiqemi të nxisim industritë vendase për të prodhuar sa më shumë gjëra që i shërbejnë turizmit, si për akomodimin, edhe për argëtimin e me radhë.
Eksportet shqiptare ne i kemi parë që kanë dalë jashtë loje me rënien e euros, por të paktën të mbledhim para nga turizmi. Nëse paratë prej tij i ridërgojmë jashtë atëherë do vijë një kohë kur turizmi s'do jetë asgjë tjetër veçse një mërzitës i komuniteteve lokale. Në qoftë se qytetarët nuk e shohin që ky turizëm i shtuar po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave në xhepin e tyre, ata mundet që nga njerëz mikpritës, të qeshur, të gëzuar me turistin, mund të kthehen në njerëz të mërzitur, agresivë ndaj turistëve. Para dy muajsh në Palma de Majorka, një ishull i rëndësishëm turistik, komuniteti lokal u ngrit në protestë kundër turistëve, sepse prezenca e tyre nuk kishte shtuar të ardhurat te komuniteti, madje e ka përkeqësuar jetën e tyre, ka rritur kostot e jetesës, kostot për blerjen e një apartamenti, sepse paratë nuk qëndrojnë te komuniteti lokal," shtoi z. Zusi.
Ish-zëvendësministri sugjeroi që të mos largohet vëmendja e qeverisë nga rritja ekonomike, pasi pa një turizëm me prirje pozitive dhe pa rritje do të vuanin edhe pensionet.
"Fondet e pensioneve duhet të jenë të tilla që gjenerohen nga një ekonomi e cila rritet, sepse nëse ato hiqen nga të ardhurat që do të shkonin për rritjen ekonomike, me kalimin e kohës kjo do të kthehej në një barrë dhe pensionet nuk do të rriteshin më. Duhet me çdo kusht të intensifikojmë përpjekjet tona për të rritur ekonominë, të ardhurat reale, jo ato fiktive, të cilat në pjesë të madhe po gjenerohen nga turizmi. Të ardhurat nga turizmi shkojnë përsëri jashtë, sepse turistët po ushqehen me produkte që na vijnë nga jashtë: po pinë verë që vjen nga jashtë, birrë që vjen nga jashtë, po lëvizin me makina dhe naftë që vijnë nga jashtë, po akomodohen në hotele që të gjithë infrastrukturën e kanë të ardhur nga jashtë. Pra duket sikur po marrim të ardhura, por këto janë të ardhura fiktive, që nuk rrinë brenda vendit. Të ardhurat që ngelen këtu janë të ardhura që i gjeneron prodhimi vendas, bujqësia, miniera, aktivitetet e ndryshme përpunuese. Kur të ndodhë kjo rritja ekonomike do të jetë e shëndetshme dhe e qëndrueshme," deklaroi z. Zusi.
/rtsh.al/