Dhuna në familje dyshohet të jetë bërë shkak i ngjarjes tragjike në Shkodër, ku nëna dhe 3 fëmijët, sipas Policisë, janë vetëmbytur në lumin Buna. Policia bën me dije se ka vënë në pranga 31-vjeçarin Ergys Arrazi, i cili dyshohet se dhunonte sistematikisht bashkëshorten, 39-vjeçaren Alma Arrazi dhe fëmijët, duke u bërë shkak që ata të ndërmerrnin aktin e rëndë.
Deri më tani është gjetur trupi i pajetë i njërit nga fëmijët, i vajzës 9 vjeçe, teksa polumbarët vijojnë kërkimet për trupin e nënës dhe të dy fëmijëve të tjerë të moshës 8 dhe 3 vjeç.
“Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve. Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj”, thuhet në njoftimin e policisë.
39-vjeçarja dhe 3 fëmijët rezultonin të zhdukur prej tre ditësh, teksa ka qenë vetë bashkëshorti që ka bërë kallëzim në polici më 3 maj se ata ishin larguar nga banesa. Ndërkohë, 31-vjeçari Arrazi rezulton i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotik.
Bazuar në hetimet e kryera deri më tani, policia deklaron se dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, që mund t’i ketë çuar ata drejt vetëvrasje.
Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.
/rtsh.al/