Gjykata e Apelit në Shkodër dha këtë të premte vendimet në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, hetim i cili nisi që prej vitit 2017-të.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarkut Gjok Ndoka u dënuan me nga 3 vite burg, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë i kishte dënuar me nga 4 vite burg.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Tonin Sterkaj i gjeti fajtor për veprën penale "Shpërdorim Detyre". Gjykata gjeti fajtor dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia dënimi me burg u konvertua me shërbim prove, ndërsa ish-futbollisti Renato Malotaj i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës u dënua nga apeli me 1 vit shërbim prove.
Ndërsa për 13 personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.
Gjithashtu gjykata ka vendosur që të gjitha dokumentet shkresore të cila sipas akt ekspertimeve kanë rezultuar të falsifikuar të asgjësohen, ndërsa dokumentet e tjera të sekuestruara si prova materiale do t’u kthehen institucioneve përkatëse.
Fran Frrokaj ishte i vetmi ish-zyrtar i pandehur gjatë dhënies së vendimit, por ai u largua nga salla pa u arrestuar, pasi nuk kishte dalë ende urdhwri i prokurorit.
Vendimi i gjykatës pritet ti dërgohet policisë për ekzekutimin e vendimeve dhe prangosjen e personave të dënuar. Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë çështje sëbashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm. Për tjetersim pronash në bregdet ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarkut Gjok Ndoka janë marrë të pandehur dhe nga SPAK, pas një hetimi të nisur në vitin 2019.
/rtsh.al/