RTSH 24 Live

Rajon

Tjetër masakër në Serbi, 21-vjeçari vret 8 persona, plagos 13 të tjerë

05/05/2023

Tjetër masakër në Serbi, 21-vjeçari vret 8 persona, plagos 13 të tjerë

Një tjetër masakër ka ndodhur në Serbi, ku një 21-vjeçar ka qëlluar me armë drejt njerëzve duke lënë të vdekur 8 prej tyre, një prej të cilëve polic, dhe duke plagosur 13 të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur pranë një fshati në jug të Beogradit, ku 21-vjeçari Uros.B., dyshohet se ka shkuar në shtëpi, ka marrë një kallashnikov dhe ka qëlluar mbi njerëzit pas një debati që ka pasur me shokët e tij në oborrin e shkollës në qytetin e Dubonës rreth orës 23:00. Pasi ka plagosur një numër të madh personash, ai ka hipur në një makinë dhe ka nisur sërish të qëllojë drejt njerëzve në zonat përreth.

Pas konfliktit që ka pasur me një oficer policie në një park në Dubonë, pasditen e së mërkurës, ka filluar të qëllojë me armë mbi qytetarët. Ai ka hipur në një makinë dhe ka vijuar të hapë zjarr, duke u marë kështu jetën 8 personave dhe duke plagosur 13 të tjerë, raporton BBC.

Autori më pas është larguar ndërsa 600 efektivë policie u vunë në kërkim të tij. Pas disa orësh arrati, 21-vjeçari është arrestuar në Kragujevc.

Ministri i Punëve të Brendshme Bratislav Gashiq ka deklaruar se ky akt ishte terrorist, raporton Tanjug.

Ministrja e Shëndetësisë, Danica Grujiçiç dhe kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë, Aleksandar Vulin, mëngjesin e sotëm (5 maj) janë nisur drejt vendit ku ndodhi ngjarja.

Kjo është tragjedia e dytë që ndodh brenda një jave në Serbi, pasi kujtojmë se më 3 maj një 14-vjeçar hapi zjarr në një shkollë fillore në Beograd duke u marrë jetën 9 personave dhe duke plagosur 7 të tjerë.

/rtsh.al/