Sipas rezultateve paraprake te publikuara në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve, që drejtohet nga ish-presidentit Milo Gjukanoviç, po kryeson në zgjedhjet lokale në Podgoricë, duke fituar rreth 29 për qind të votave e përkthyer në 19 mandate këshilltarësh nga 58 që ka Kuvendi i Podgoricës. Ajo ndiqet nga koalicioni i Lëvizjes Evropa Tani dhe Mali i Zi Demokratik me rreth 23 për qind të votave ose 14 këshilltarë.
Ndërkohë, koalicioni “Për Ardhmërinë e Podgoricës” ka marrë 21 për qind të votave i përkthyer në 13 mandate. 12 mandatet e mbetura u ndan mes partive të tjera që morë pjesë në garën elektorale. Të dielën në Podgoricë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e kryeqytetit të Malit të Zi, ku morën pjesë 13 lista zgjedhore.
Pjesëmarrëja në votime ishte 56.4%, ndërsa të drejtë vote kishin rreth 146 mijë qytetarë. Zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Podgoricës u mbajtën në tetor 2022, kur pas gati tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Gjukanoviç humbi pushtetin, në nivel shtetëror dhe pastaj në kryeqytetin malazez.
Por këtë herë sipas mediave, rënia e pushtetit në Podgoricë ishte si pasojë e mosmarrëveshjeve dhe ndarjes së partisë në pushtet në Malin e Zi, Lëvizjes Evropa Tani. Partia u nda mes presidentit aktual Jakov Milatoviç, i cili ishte një nga themeluesit e saj, dhe kryeministrit dhe kryetarit të kësaj lëvizjeje, Milojko Spajiç.
Sipas analistëve zgjedhjet në Podgoricë shihen si test për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë së theksuar politike në vend. Mali i Zi ka rreth 633 mijë banorë dhe rreth 180 mijë prej tyre jetojnë në Podgoricë sipas regjistrimit të vitit 2023.
/RTSH/