RTSH 24 Live

Rajon

NATO stërvitje në rajon, aleanca ushtarake dislokon trupa në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

30/09/2024

NATO stërvitje në rajon, aleanca ushtarake dislokon trupa në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

Aleanca Veriatlantike njoftoi këtë të hënë se rreth 200 trupa të Forcës Aleate të Reagimit do të dislokohen për herë të parë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Stërvitja, që do të zgjasë nga 30 shtatori deri më 16 tetor, synon të testojë gatishmërinë e trupave dhe mbështetjen për KFOR-in në rast nevoje.

Në Kosovë do të dislokohen 50 trupa dhe 150 të tjerë në Maqedoninë e Veriut. NATO tha se dislokimi i këtyre forcave jep një mesazh të qartë të vendosmërisë të fortë të Aleancës ushtarake dhe përkushtimit të saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësinë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur në çdo situatë.

Sipas NATO-s, Forca Aleate E Reagimit, e krijuar në korrik të këtij viti, është një forcë strategjike e gatishmërisë së lartë me aftësi të shumë fusha. Kjo forcë mund të dislokohet shpejt dhe mund të ofrojë ndihmë në mbrojtje në rrethana të ndryshme.

/RTSH/