Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan, tha se vendi i tij është për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, raporton Anadolu Ajansi.
Erdogan iu drejtua mediave pas mbledhjes së kabinetit të tij në Ankara.
Duke folur për vizitën e fundit të punës të Kryetarit të Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës Denis Beqiroviç në Turqi, ai theksoi se vizita ishte shumë produktive.
“Po shohim që ideatorët që e kanë kthyer Lindjen e Mesme në gjakderdhje, në muajt e fundit po përpiqen të turbullojnë ujërat edhe në Ballkan. Është e qartë se cilat janë qëllimet pas nxitjes së agjendave separatiste”, tha Erdogan.
“Si Turqi, ne jemi në favor të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ndjeshmërinë tonë për këtë çështje ia shpreha kryetarit të Partisë së Veprimit Demokratik, Bakir Izetbegoviq, së fundi në Istanbul. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Bosnjë dhe Hercegovinës”, shtoi presidenti turk.
Ai tha se sot, në platformat globale, Turqia është bërë zëri i të gjithë njerëzve të shtypur që luftojnë për liri, drejtësi, të drejta dhe barazi.
Erdogan më tej tha se rreth 30 tonë ndihma humanitare kanë mbërritur në Bejrut nga Turqia. “Ne do të vazhdojmë të dërgojmë ndihmë për aq kohë sa lejojnë kushtet e sigurisë. Natyrisht, nevojat e vëllezërve dhe motrave tona libaneze po rriten ndjeshëm për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit, që nuk bëjnë dallim midis civilëve dhe ushtarëve”, u shpreh më tej presidenti turk.
Ai i bëri thirrje botës islame që të reagojnë ndaj zhvillimeve në Palestinë dhe Liban, duke thënë: “Vendet islame duhet t'i japin përgjigjen më të fortë shtypjes në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban. Si muslimanë, duhet ta udhëheqim botën në parandalimin e padrejtësive”.
Presidenti Erdogan i kërkoi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që të rekomandojë menjëherë përdorimin e forcës në Gaza, ngjashëm me rezolutën 1950-tës “Bashkimi për paqen”, e cila i mundësoi Asamblesë të japë rekomandime për vendet e OKB-së për masa kolektive për sigurinë ndërkombëtare, në rast të mosveprimit të Këshillit të Sigurimit si rezultat i mungesës së unanimitetit midis pesë anëtarëve të përhershëm.
Ai tha se “të ngrihesh për Palestinën dhe Libanin, do të thotë të ngrihesh për njerëzimin, paqen dhe kulturën e bashkëjetesës së besimeve të ndryshme”.
“Një grusht sionistësh radikalë, të verbuar nga gjaku, urrejtja, po i vënë zjarrin rajonit dhe gjithë botës. Ne kurrë nuk do të pranojmë këtë mizori dhe barbarizëm”, deklaroi Erdogan.
Sipas Anadolu Ajansi
/ rtsh.al /