RTSH 24 Live

Aktualitet

Testimi "PISA 2025" - 80 mësues të trajnuar në Shkodër, marrin pjesë 3 gjimnaze

20 orë para

Testimi "PISA 2025" - 80 mësues të trajnuar në Shkodër, marrin pjesë 3 gjimnaze

Zyra vendore arsimore në Shkodër ka gati mësuesit dhe shkollat që do të bëhen pjese e vlerësimit ndërkombëtar PISA.

Drejtorja Brisela Kadija tha se janë trajnuar 80 mësues dhe janë përzgjedhur 3 gjimnaze për të marrë pjesë.

"Kemi tri institucionet publike, gjimnaze - 'Oso Kuka', '28 Nëntori' dhe 'Shejnaze Juka' - tre institucione private - 'Maria Ndihmëtare', 'Haxhi Sheh Shamia' dhe 'Atë Pjetër Meshkalla' - si edhe dy shkolla profesionale ('Hamdi Bushati', 'Arben Ndoci'), që pritet t'i nënshtrohen procesit të PISA-s. Pritet që 80 mësuesit e trajnuar ta vazhdojnë procesin e trajnimit edhe me mbi 600 nxënës, që do i nënshtrohen PISA-s," thotë znj. Kadija.

Kadija tregoi se modeli PISA vijon të jetë busull orientuese çdo vit e më shumë në procesin e mësimdhënies.

"PISA ka një format standard vlerësimi, drejt të cilit po shkon edhe sistemi arsimor shqiptar," shprehet drejtoresha e ZVA-së në Shkodër.

Shqipëria është pjese e këtij testi që nga viti 2000, ndërsa vlerësimi i fundit ishte në vitin 2022, ku rezultatet ishin të dobëta.

/rtsh.al/