Gjykata e Lartë akuzuat e bëra nga Ervin Salianji dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, lidhur me shortin e caktimit të relatorit që do të shqyrtojë rekursin e ish-deputetit të PD-së, i cili po vuan dënimin me 1 vit heqje lirie, në burgun e Fierit. Përmes një njoftimi për shtyp, Gjykata e Lartë sqaron se këto pretendime janë të pabaza dhe të pa mbështetura në ligj.
Sipas saj, në datën 8 janar 2025 është regjistruar çështja penale me palë kërkuese: Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe të pandehur: A.V., F.A., J.O., E.S., dhe G.(A.)Xh.
“Përmes regjistrimit elektronik në Sistemin e Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS), që nuk administrohet nga Gjykata e Lartë, por nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, shorti cakton automatikisht një gjyqtar relator për çdo çështje të regjistruar. Për këtë çështje është caktuar nëpërmjet shortit elektronik si gjyqtar relator, anëtarja e Kolegjit Penal, Albana Boksi”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.
Sipas saj, bazuar në Urdhrin e Kancelarit të Gjykatës së Lartë “Për disa masa organizative lidhur me menaxhimin e çështjeve gjyqësore”, Gjykata e Lartë sqaron se “është e detyrueshme që kur për shqyrtimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit civil/administrativ/penal të regjistruar më parë dhe për shqyrtimin e rekursit të regjistruar më vonë, janë caktuar dy gjyqtarë relatorë të ndryshëm nga sistemi ICMIS, çështja gjyqësore duhet të kalojë në emër të gjyqtarit të caktuar për shqyrtimin e pezullimit të ekzekutimit të vendimit civil/administrative/penal."
“Referuar këtij urdhri dhe për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar në datën 1 tetor 2024”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë.
Gjykata e Lartë nënvizon se mos përmbushja e një veprimi të tillë do të konsiderohej në kundërshtim me rregullat e vendosura për gjyqtarin natyral dhe me standardin e gjykatës së caktuar me ligj.
“Ky veprim që kryhet automatikisht nga sistemi elektronik, i cili garanton njëkohësisht edhe për integritetin e tij, ka për qëllim të sigurojë një menaxhim më të mirë dhe më të shpejtë të çështjeve gjyqësore, si dhe transparencë dhe efikasitet në administrimin e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Akuzat
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, përmes një reagimi në rrjetet sociale deklaroi të hënën se Gjykata e Lartë ka ndryshuar relatorin e çështjes së rekursit të tij. Fillimisht u shortua relator gjyqtarja Albana Boksi, por më pas është rihedhur shorti dhe është caktuar Sokol Binaj. Shorti për rekursin e ish-deputetit demokrat është hedhur në datën 8 janar.
Salianji u shpreh se shorti është manipuluar me qëllim shtyrjen e procesit në kohë, siç thekson, për ta mbajtur larg fushatës dhe zgjedhjeve të 11 majit.
“Ky nuk është proçes, por pengmarrje. Jam i marrë peng nga një organizatë kriminale që interes ka të më mbajë larg zgjedhjeve dhe aktivitetit publik, pasi kam faktuar me qindra herë korrupsionin dhe lidhjet e qeverisë me krimin ashtu siç dhe i kam mundur në çdo përballje zgjedhore!”, shkruajti Salianji.
Edhe Berisha reagoi pas denoncimit të ish-deputetit, Ervin Salianji se është manipuluar shorti i rekursit të tij në Gjykatën e Lartë. Gjatë konferencës për shtyp nga selia blu, Berisha tha se “kjo dëshmon fytyrën e regjimit të Ramës”.
Ai e quajti Salianjin martir të gjallë të fjalës së lirë.
“Ai qëndron në qeli vetëm e vetëm pse paraqiti prova të pakontestueshme se Fatmir Xhafaj me vëllanë e tij kriminel, trafikant, që e merrte në mbrojtje, drejtonin trafiqe të tmerrshme”, tha Berisha.
/rtsh.al/