Autoritetet greke thanë të shtunën se shkollat në Santorini dhe ishujt e afërt, Anafi, Ios dhe Amorgos, do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri më 14 shkurt për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm sizmik në zonë.
Në mëngjes, një seri tërmetesh me magnitudë mbi 4,5 u regjistruan brenda rreth 50 minutash në zonën detare midis Santorinit dhe Amorgos. Lëkundja më e madhe kishte një magnitudë 4,9 të shkallës Rihter.
Në një deklaratë, Organizata për Planifikimin dhe Mbrojtjen nga Tërmetet (OASP) e Ministrisë së Infrastrukturës tha se sekuenca sizmike në zonën detare të Anydros, midis Santorinit dhe Amorgos, mbetet e qëndrueshme dhe nuk ka lidhje me aktivitetin vullkanik në Nea Kameni, një ishull i vogël në Santorini.
Autoritetet kanë kufizuar gjithashtu trafikun në zonat e cenueshme nga rrëshqitjet e gurëve.
Kamionët e ushtrisë kanë dorëzuar gjeneratorë të energjisë elektrike në Santorini, ndërsa ekipet e shpëtimit mbeten në gatishmëri.
Gjatë një vizite në terren të premten, kryeministri Kyriakos Mitsotakis inspektoi objektet e gatishmërisë për emergjenca dhe njoftoi një paketë financimi prej 3 milion euro për të ndërtuar një rrugë evakuimi urgjente në rajonin jugor të ishullit.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/