I shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Civile, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis qëndroi këtë të premte në Santorini, ishullin turistik të goditur nga mijëra lëkundje sizmike, që kanë shkaktuar një eksod masiv të qytetarëve dhe punonjësve sezonalë.
Mitsotakis tha se vizita e tij kishte qëllim vlerësimin e gatishmërisë së mekanizmave shtetërorë dhe u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë.
"Shpresojmë që ky fenomen të përfundojë shpejt dhe ishulli t’i rikthehet plotësisht normalitetit. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën, por nuk jemi këtu për të bërë parashikime shkencore. Dua të siguroj banorët e Santorinit dhe ishujve fqinjë, të cilët po përballen me këto sfida, se i gjithë mekanizmi shtetëror është i mobilizuar në mbështetje të tyre. Është gjithmonë më mirë të jesh i përgatitur dhe të marrësh masa parandaluese," deklaroi z. Mitsotakis.
Lëkundjet sizmike në Santorini vazhduan edhe gjatë së premtes, ku goditja më e fortë ishte me magnitudë 4.8 në shkallën Rihter.
Aktiviteti i vazhdueshëm sizmik bëri që një ditë më parë në Santorini të shpallej gjendja e jashtëzakonshme deri më 1 mars. Vendimi u jep mundësi autoriteteve t'u përgjigjen nevojave të popullsisë dhe pasojave të tërmeteve.
Që nga 26 janari mbi 7.700 lëkundje janë regjistruar në det mes Santorinit dhe ishullit Amorgos, më e forta mbrëmjen e së mërkurës me magnitudë 5.2 në shkallën Rihter.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/