RTSH 24 Live

Greqi

Micotaqis në Santorini: Banorët të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet

07/02/2025

Micotaqis në Santorini: Banorët të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet

I shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Civile, kryeministri grek Qirjakos Micotaqis  qëndroi këtë të premte në Santorini, ishullin turistik të goditur nga mijëra lëkundje sizmike që kanë shkaktuar një eksod masiv të qytetarëve dhe punonjësve sezonalë. Micotaqis tha se vizita e tij kishte qëllim vlerësimin e gatishmërisë së mekanizmave shtetërorë, ndërkohë u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë.

Shpresojmë që ky fenomen të përfundojë shpejt dhe ishulli t’i rikthehet plotësisht normalitetit. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën, por nuk jemi këtu për të bërë parashikime shkencore. Dua të siguroj banorët e Santorinit dhe ishujve fqinjë, të cilët po përballen me këto sfida, se i gjithë mekanizmi shtetëror është i mobilizuar në mbështetje të tyre. Është gjithmonë më mirë të jesh i përgatitur dhe të marrësh masa parandaluese”, u shpreh Kryeministër i Greqisë, Qirjakos Micotaqis.

Lëkundjet sizmike në Santorini vazhduan edhe gjatë së premtes, ku goditja më e fortë ishte me magnitudë 4.8 ballë. Aktiviteti i vazhdueshëm sizmik bëri që një ditë më parë në Santorini të shpallej gjendja e jashtëzakonshme deri më 1 mars. Vendimi  u jep mundësi autoriteteve t'u përgjigjen nevojave të popullsisë dhe pasojave të tërmeteve. Që nga 26 janari mbi 7700 lëkundje janë regjistruar në det mes Santorinit dhe ishullit Amorgos, më e forta mbrëmjen e së mërkurës me magnitudë 5.2 ballë.

/rtsh.al/