Prej disa ditësh, Santorini nuk gjen qetësi prej lëkundjeve sizmike që ka detyruar banorët ta evakuojnë vendin me shpejtësi.
Ndërsa qindra tërmete janë regjistruar gjatë ditëve të fundit, më i fundit këtë të enjte (6 shkurt) 5.3 i shkallës Rihter, në Santorini dhe Amorgos, Ministria e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile ka vendosur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për të adresuar nevojat emergjente dhe për të menaxhuar pasojat që vijnë nga aktiviteti sizmik.
Në të njëjtin vendim thuhet se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të zgjasë një muaj.
“Vendosim shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme për Mbrojtjen Civile në Bashkinë Thira, në Njësinë Rajonale Thira, në Rajonin e Egjeut Jugor, për të adresuar nevojat emergjente dhe për të menaxhuar pasojat që vijnë nga aktiviteti sizmik që ka ndodhur së fundmi në zonën e mësipërme. Kjo deklaratë do të jetë në fuqi nga data 1 shkurt dhe do të zgjasë një muaj, pra deri më 1 mars”, thuhet në vendim.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis do të udhëtojë të premten drejt Santorinit, i shoqëruar nga Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias.
Shtatë lëkundje të njëpasnjëshme me magnitudë mbi 4.0 ballë u regjistruan të enjten nga Instituti Gjeodinamik i Athinës. Mbrëmjen e së mërkurës u regjistrua goditja më e fortë deri tani me magnitudë 5.2 i shkallës Rihter.
Ekspertët ende nuk kanë mundur të japin një vlerësim përfundimtar se kur do të përfundojë aktiviteti sizmik, por theksojnë se është i paprecedentë dhe nuk ka lidhje me aktivitetin vullkanik të ishullit, që për herë të fundit ka shpërthyer në vitin 1950.
“Intensiteti po bie, por ende nuk është stabilizuar,” tha drejtori i kërkimit të Institutit Gjeodinamik për medien shtetërore ERT, ndërsa shtoi se mbi 6 mijë lëkundje janë regjistruar në detin Egje pranë ishujve Santorini, Amorgos, Amafi dhe Ios që nga 26 janari.
Mbi 11 mijë banorë dhe punëtorë sezonalë u larguan nga Santorini prej fundjavës përmes detit dhe ajrit, ndërsa operatorët shtuan fluturimet dhe linjat e trageteve për evakuimin e tyre.
Ekspertët thonë se rajoni nuk ka përjetuar një aktivitet të tillë sizmik që nga fillimi i regjistrimit të tërmeteve në vitin 1964.
Gazetare: j.k / Vjollca Zharri
/rtsh.al/