RTSH 24 Live

Botë

Tërmet 7.8 ballë në Turqi dhe Siri, më shumë se 1500 viktima dhe mbi 6000 mijë të plagosur! Vijojnë kërkimet për të mbijetuarit

06/02/2023

Tërmet 7.8 ballë në Turqi dhe Siri, më shumë se 1500 viktima dhe mbi 6000 mijë të plagosur! Vijojnë kërkimet për të mbijetuarit

Më shumë se 1500 persona kanë humbur jetën dhe mbi 6371 të tjerë janë plagosur si pasojë e tërmetit apokaliptik që goditi Turqinë dhe Sirinë mëngjesin e kësaj të hëne (6 shkurt). Tërmeti 7.8 i shkallës rihter goditi një zonë të gjerë në Turqinë juglindore, pranë kufirit me Sirinë. 

Fillimisht Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, tha se vetëm në Turqi 912 persona humbën jetën dhe 5383 u plagosën nga tërmeti, teksa shtoi se nuk mund të parashikonte se sa do të rritej numri i viktimave.

Sakaq, në Siri, u raportuan 592 viktima, duke përfshirë 371 kryesisht në rajonet e Alepos, Hama, Latakia dhe Tartus. Qindra njerëz të tjerë u plagosën gjithashtu pas tërmetit, me 1089 të plagosur në Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus, ndërsa 340 të tjerë lëndime u raportuan gjithashtu në zonat e kontrolluara nga opozita.

Tërmeti është një nga më të fortët që ka goditur Turqinë në më shumë se 100 vjet dhe shkaktoi lëkundje në të gjithë rajonin, duke shembur dhe duke dëmtuar më shumë se 1,700 ndërtesa.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA, tërmeti i fuqishëm kishte një thellësi prej 17.9 km (11 milje) pranë qytetit të Gaziantep, ndërsa shton se numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore mund të arrijë deri në 10,000 njerëz.

Gjithsej 42 pasgoditje janë ndjerë në dy orët që kur tërmeti goditi për herë të parë në orën 4.17 të mëngjesit me orën lokale, sipas Ministrisë së Turqisë të fatkeqësive të brendshme dhe menaxhimit të emergjencave.

Tërmeti fatal rrëzoi shumë ndërtesa e për pasojë numri i viktimave është shumë i lartë, ndërsa pritet rëndimi i bilancit, duke qenë se shumë qytetarë janë ende nën rrënoja.

Ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu tha se janë prekur 10 qytete: Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis.

Zëvendëspresidenti turk Fuat Oktay ka shpallur alarmin e nivelit 4, që kërkon ndihmë ndërkombëtare, pas tërmetit fatal me magnitudë 7.8 të shkallës rihter që ndodhi në Kahramanmaraş dhe preku 10 provinca.

Kemi gjithsej 284 të vdekur, 2 mijë e 23 të plagosur dhe 1710 objekte të shkatërruara. Gjithsej 2786 ekipe kërkim-shpëtimi janë në terren, ky numër çdo moment po rritet. Në zonën e tërmetit është ndërprerë arsimi për një javë”, tha ai.

Por teksa numri i të plagosurve vijon të rritet, nevoja për gjak në spitalet e tejmbushura, shtohet. Presidenti i Gjysmëhënës së Kuqe Turke i ka bërë thirrje kombit të bëjë dhurime gjaku, ndërsa i kërkoi qytetarëve në Turqi që të largohen nga ndërtesat e dëmtuara.

Lajmi në përditësim...

/rtsh.al/