RTSH 24 Live

Aktualitet

Tentuan të grabisin me dhunë një shtetas, policia e Tiranës arreston 4 të mitur

15/02/2025

Tentuan të grabisin me dhunë një shtetas, policia e Tiranës arreston 4 të mitur

Policia e Tiranës bëri të ditur se ka arrestuar 4 të mitur, të cilët tentuan t’i merrnin me dhunë sendet personale një 21-vjeçari. Ata po hetohen për të dokumentuar nëse janë autorë edhe të ngjarjeve të tjera të ndodhura në Tiranë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas marrjes së kallëzimit të një 21-vjeçari se 4 të mitur kishin tentuar t’i merrnin me dhunë sendet personale, kanë organizuar punën menjëherë dhe, pas veprimeve të shpejta dhe të koordinuara, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 4 shtetasve të mitur, të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç.”, njofton policia.

Sipas kësaj të fundit, të miturit dyshohen se, ditën e djeshme, në zonën e quajtur Ish-Fusha e Aviacionit, tentuan t’i merrnin me dhunë sendet personale një 21-vjeçari.

“Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjeve të tjera në Tiranë, ku dyshohet se mund të jenë të përfshirë këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

/rtsh.al/