Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu kanë prezantuar sot (18 shkurt) Dokumentin e Politikave të Arsimit të Lartë 2030. Kreu i qeverisë tha se qëllimi është përafrimi i standardeve të arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian.
Në fjalë e tij, Rama përmendi nevojën për përmirësimin e cilësisë së stafit akademik në universitete, ndërsa si pikën më të rëndësishme veçoi vënien e kërkimit shkencor në funksion të zhvillimit të vendit. Po ashtu, kryeministri tha se një fokus i veçantë i duhet dhënë edhe inteligjencës artificiale, teksa deklaroi se çdo universitet që do të ketë një plan në këtë drejtim, do të mbështetet me fonde edhe nga qeveria.
“Qëndron sfida sepse ndërkohë që kemi folur për shumë vite lidhur me nevojën e zgjerimit të bazës financiare, kemi zgjeruar bazën dyfish për arsimin e lartë dhe e kemi pesëfishuar për kërkimin shkencor, e vërteta është që nuk bëhet një sforcoi e mjaftueshme për rritjen e cilësisë së stafit akademik. Jemi në funksion të rritjes së cilësisë së studentëve, por kjo kalon medoemos përmes rritjes së cilësisë së stafit akademik. Bëmë një stop për një periudhë kohe të doktoraturave, vinim nga një fazë barbarie në arsimin e lartë që ka qenë vetëm 10 vite më parë, 18 universitete që ishin biznese.
Pika më e rëndësishme është ndryshimi që ka filluar për të vënë kërkimin shkencor në funksion të zhvillimit të vendit, të thellohet. Duhet t’i japim më shumë fokus zhvillimit të kërkimit shkencor për zhvillimin e vendit. Një fokus i veçantë i duhet dhënë në të gjitha universitet inteligjencës artificiale. Është një domosdoshmëri, pro edhe një oportunitet. Ne do të bëjmë çmos që këtë ta mbështesim edhe me fondet tona, pra çdo universiteti që do të ketë një plan në këtë drejtim, nuk ka nevojë për plane të jashtëzakonshme në fillim, por për të kuptuar dhe për të vënë në lëvizje të dhënat dhe zhvillimet e mëtejshme tregojnë se çfarëdo të sjelli përpunimi i atyre të dhënave”, tha Rama.
Ministrja Manastirliu bëri me dije se dokumenti i prezantuar përmban dy qëllime, i pari që lidhet me zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe i dyti me standardet e zonës europiane të arsimit. Ministrja tha se do të ndërmerret një plan veprimi që do të shtrihet deri në vitin 2030, ndërsa masat lidhen me rishikimin e kuadrit ligjor të arsimit të lartë. Ajo theksoi se do të vendosen instrumenta ligjore të reja që ofrojnë për universitete më shumë fleksibilitet dhe më shumë autonomi për të vendosur vetë për programet e reja të studimit.
“Dokumenti që prezantojmë adreson këto sfida dhe përmban dy qëllime të politikës, një që lidhet me zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe i dyti që lidhet me standardet të zonës europiane të arsimit, të zonës së kërkimit shkencor. Këto objektiva lidhen me masa konkrete që do të jenë pjesë e një plani veprimi për t’u ndërmarrë nga sot deri në vitin 2030. Masat lidhen me rishikimin e kuadrit ligjor të arsimit të lartë.
Vendosja e instrumenteve ligjore të reja që ofrojnë për universitete më shumë fleksibilitet dhe më shumë autonomi për të vendosur vetë për programet e reja të studimit. Profilizimi i universiteteve të lidhet edhe më shumë me krijimin e programeve të reja të studimit apo modaliteteve të reja të studimit. Ne duhet të përafrohemi më standardet europiane të akreditimit dhe ndryshimet ligjore duhet të avancojë në raport me pavarësinë e bordit të akreditimit që është tërësisht i pavarur de facto, por de juro duhet të dali nga varësia aktuale. Avancimi i procesit të ndërkombëtarizimit është një fokus tjetër, duke mundësuar të rritet numri i programeve që financojmë për programet dyfishe dhe diplomat e përbashkëta”, u shpreh ministrja.
/rtsh.al/