Kryeministri i Holandës Mark Rutte së bashku me homologun e Luksemburgut Xavier Bettel nisin këtë të hënë vizitën në Serbi, ku do të takohen me Presidentin Aleksandër Vuçiç, e më pas me Kryeministren Ana Brnabiç.
Kthimi në tryezën e dialogut të Serbisë me Kosovën, nën ndërmjetësimin e BE, është arsyeja kyçe e kësaj vizite të Rutte dhe Bettel në Serbi.
Udhëtimi i tyre në Beograd do të pasohet edhe me një vizitë në Kosovë. Dy liderët e Holandës e Luksemburgut do të jenë të martën (4 korrik) në Prishtinë, ku do të priten nga presidentja Vjosa Osmani. Më pas dy kryeministrat do të takohen me homologun e tyre nga Kosova, Albin Kurti, ku tensionet ne veri do jenë kryefjalë e bisedës mes tyre.
Vizita ofron një mundësi për të diskutuar tensionet midis Serbisë dhe Kosovës dhe rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe përkushtimit ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.
/rtsh.al/