RTSH 24 Live

Botë

Tensionet në veri të Kosovës/ Stoltenberg takohet më 17 gusht me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç

12/08/2022

Tensionet në veri të Kosovës/ Stoltenberg takohet më 17 gusht me Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg do të takohet më 17 gusht me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Pas takimit që do të mbahet në selinë e NATO, Kryeministri Kurti dhe Stoltenberg do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.

Po ashtu, sekretari i Përgjithshëm i NATO do të mbajë dhe një konferencë për shtyp me Presidentin serb Vuçiç, për të dhënë detaje rreth takimit.

Takimi vjen pas tensioneve në veri të Kosovës mbrëmjen e 31 korrikut, pas vendimit të qeverisë kosovare për vendosjen e reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet serbe, vendim që më pas u shty me 30 ditë. Kryeministri Kurti bëri me dije më 1 gusht se në veri të Kosovës ka patur të shtëna me armë dhe 9 barrikada që ndalonin qytetarët me automjete dhe këmbësorë. Takimi me Stoltenberg, vjen një ditë para se Kurti dhe Vuçiç të takohen me kryediplomatin evropian Josep Borrell.

/rtsh.al/