RTSH 24 Live

Politikë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, BE fton për takim në Bruksel Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç

04/08/2022

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, BE fton për takim në Bruksel Kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç

Pas tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik, BE ka ftuar Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin serb Aleksandër Vuçiç në një takim në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

Ndonëse Kryeministri i Kosovës ka deklaruar më herët se me Presidentin Vuçiç duhej të takoheshin më 19 korrik, takimi mes tyre u shty për në fund të muajit gusht.

"Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston", tha Kurti në një konferencë me gazetarët.

DW bën me dije se shefi i politikës së Jashtme dhe të Sigurisë i  Bashkimit Evropian, Josep Borrel, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiçin për një takim të radhës në Bruksel, bisedime të cilat do të lehtësohen nga Bashkimi Evropian dhe takimi i radhës që pritet të realizohet në fund të gushit.

Nuk ka ende një datë të saktë mbi takimin që ka për qëllim shmangien e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë më 1 gusht, Borrell teksa vlerësoi vendimin e qeverisë së Kosovës për shtyrjen me 30 ditë të reciprocitetit për target serbe, deklaroi se çështjet e hapura mes dy vendeve duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej BE.

Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thelbësore për rrugët e tyre të integrimit në BE”, ka thënë Borrell.

Presidenti i Serbisë ka konfirmuar se do të shkojë në takim por shprehet se nuk pret asgjë nga takimi me Kryeministrin Kurti.

"Do të shkoj në Bruksel, por nuk pres asgjë. Kushdo që mendon se me Kurtin ka gjasa të ruhet paqja, e ka shumë gabim”, tha Vuҫiç.

Nga ana e tij Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar më 2 gusht një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti. Stoltenberg u ka bërë thirrje të dyja palëve të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Fola me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë rëndësinë e vazhdueshme të misionit të NATO-s dhe KFOR. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin“, shkruante Stoltenberg në Twitter.

Kujtojmë se mbrëmjen e 31 korrikut situata në veri të Kosovës u tensionua tepër duke arritur deri në përdorimin e armëve nga ana e serbëve të cilët vendosën 9 barrikada në rrugët lidhëse pas vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit në dokumente udhëtimi dhe targat serbe.

/rtsh.al/