RTSH 24 Live

Kosova

Tensionet në veri të Kosovës/ Kurti: Të shtëna me armë dhe 9 barrikada! Vuçiç shtyu takimin në fund të gushtit

01/08/2022

Tensionet në veri të Kosovës/ Kurti: Të shtëna me armë dhe 9 barrikada! Vuçiç shtyu takimin në fund të gushtit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë për shtyp me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se gjatë tensioneve në veri të Kosovës ka patur të shtëna ndaj Policisë por fatmirësisht pa të lënduar. Kurti thotë se 9 barrikada me njerëz të armatosur  ka patur mbrëmjen e 31 korrikut në veri të Kosovës të cilët ndalonin qytetarët në automjete dhe këmbësorë. Sipas tij, strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale agresive si rrallë herë më parë.Kurti thekson se dhuna nuk do të tolerohet.

Mbrëmë ka pasur të shtëna dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur kanë ndaluar qytetarët në automjete dhe këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale agresive si rrallë herë më parë. S’është e lehtë për shtetin tonë se ata i mbështet fqinji jonë. Janë me dhjetëra shkelje të ligjit të bëra dje me të cilat po merret policia e Prokuroria. Nuk ka të plagosur me armë zjarri. Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin informacionet zyrtare nga qeveria, ministria e Brendshme dhe policia e Kosovës. Pikat kufitare Jarinj dhe Bërnjak janë ende të mbyllura sepse janë të bllokuara rrugët. Presim që sot të hiqen barrikadat. Të gjitha masat tona janë rend demokratik për siguri për të gjithë. Dhuna nuk do të tolerohet. Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt dhe me partnerët europian e amerikanë. I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të dënojnë dhunën e bandave kriminale”, tha Kurti.

Më tej kryeministri ka njoftuar se takimi i planifikuar me presidentin e Serbisë në Bruksel më 19 korrik është shtyrë për në fund të muajit gusht me kërkesë të Vuçiç.

Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi në Bruksel më 19 korrik. Por ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për fund të muajit gusht mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik dhe e shtynë këtë takim për fund të gushtit. Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Borrell, do të shkojë në Bruksel”, tha Kurti.

/rtsh.al/