RTSH 24 Live

Ekonomi

Tarifat e reja për vlerësimin e hoteleve me 4–5 yje, Topuzi: Problemi lidhet me standardet, ekspertët

12/02/2024

Tarifat e reja për vlerësimin e hoteleve me 4–5 yje, Topuzi: Problemi lidhet me standardet, ekspertët

Kryetar i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, Zak Topuzi ka deklaruar se problemi i vlerësimit të hoteleve me 4 apo 5 yje lidhet me standardet. Në fjalën e tij në emisionin “Jetë Shqiptare” në lidhje me propozimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për tarifat e reja për vlerësimin e hoteleve me 4 apo 5 yje, Topuzi u shpreh se nevojitet ngritja e grupeve të certifikuara dhe standardizuara.

Ai theksoi se ministria ka specialistë, por nuk ka ekspertë.

Problemi me yjet lidhet me standardet. Vetëm Shqipëria nuk e ka bërë akoma. Kjo është çështje prestigji, është mbrojtja e konsumatorit që lidhet me këtë proces.

Procesi i yjeve është një proces që nuk bëhet dot nga Ministria. Janë struktura të certifikuara, njerëz të trajnuar. Një proces që nisi nga USAIDI. Ka qenë një kërkesë e industrisë sonë që 15 vite para. Sa më vonë të bëhet ky proces aq më shumë kosto do ketë për subjektet.

Shqipëria po shkon drejt Evropës dhe ne duhet patjetër të certifikohemi. Sistemi hotel stars është sistemi ku u mbështet ky program Problemi mbeti te ngritja e strukturave që do menaxhonin këtë problem, sepse ministria ka specialistë, por nuk ka ekspertë. Duhen ngritur grupe të certifikuara, standardizuara që mbajnë përgjegjësi për këtë proces.

Problemi është që s’ka infrastrukturën e duhur me personat përgjegjës për ta bërë këtë proces”, tha Topuzi.

Çdo aplikues, që të marrë një vlerësim se struktura e tij akomoduese është me 4 ose 5 yje, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme si të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, e cila të ndodhet në zonat me përparësi për zhvillimin e turizmit, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Vlera e investimit duhet të jetë jo më të vogël se 8 milionë euro për ndërtimin e  strukturës akomoduese me 4 yje dhe jo më të vogël se 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.

Përveç kësaj, struktura akomoduese duhet të menaxhohet nga një operator menaxhues, i regjistruar si markë tregtare ose i njohur  ndërkombëtarisht “brand name” me 4 dhe/ose 5 yje, nga autoritetet kompetente të vendeve ku ato ndodhen,  i lidhur me aplikuesin me një  marrëveshje të vlefshme gjatë kohëzgjatjes së statusit.

“Aplikuese nuk duhet të jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata apo ndonjë procedurë tjetër të ngjashme. Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për veprat penale të parashikuara në ligjin “Për turizmin”, si dhe të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e taksave dhe tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.”, thuhet në vendim.

/rtsh.al/