Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimi Evropian, Xhosep Borel (o. Josep Borrell) ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar propozimin e kompromisit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim e raporteve me Serbinë.
Borrell ka hasur në kushtet e Albin Kurtit, i cili ka kërkuar së pari njohje de facto nga Serbia, ndërsa pala serbe ka kërkuar themelimin e Asociacionit.
“Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, kemi tentuar që të gjejmë zgjidhje për të ecur përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë në këtë drejtim për fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]. Ai insistoi të formalizohet njohja de facto si hap i parë”, është shprehur Borrell.
Ndërkaq, pas takimit presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka theksuar se bisedimet me kryeministrin Kurti përfunduan pa sukses, siç ka thënë ai në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, ka deklaruar Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan takime të ndara ditën e sotme me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Borel, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak (o. Lajcak).
/rtsh.al/