RTSH 24 Live

Kosovë

Takimi me Vuçiç në Bruksel, Kurti: Plani franko-gjerman përmban njohjen de-fakto të Kosovës

23/02/2023

Takimi me Vuçiç në Bruksel, Kurti: Plani franko-gjerman përmban njohjen de-fakto të Kosovës

Plani franko-gjerman do të jetë në fokus të diskutimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në takimin e tyre më 27 shkrut në Bruksel.

Nga Kuvendi, Kurti tha përmbajtjen e këtij plani ia ka bërë me dije krerëve të partive në vend dhe se ky plan është një bazë e mirë për diskutime të mëtejshme me Serbinë.

Në thelb të këtij plani europian, tha Kurti, është avancimi i anëtarësimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe përmban njohjen de fakto të vendit.

“Unë e kam pranuar parimin të cilin e kanë kërkuar ndërmjetësit apo fasilituesit evropian e ai është transparenca e procesit, konfidencialiteti i bisedimeve. Rrjedhimisht përmbajtjen tekstuale e kam ndarë me kryetarët e partive opozitare por jo edhe në Kuvend të Republikës, ndonëse besoj që pas shumë muajve pothuajse asgjë nuk ka ngelur e panjohur nga ai propozim që paraqet bazën e mirë për diskutime të mëtejshme që fillojnë të hënën që vjen.

Nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave negociuese të palëve, nuk është që unë kam kërkuar diçka e është në atë propozim ose pala tjetër, aleatët e Republikës së Kosovës e kanë dizajnuar pra si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe  i cili përmban njohjen defacdo”, tha Kurti nga Kuvendi.

Këto deklarata Kurti i bëri pas interesimit të opozitës se për çfarë do të diskutojë në takimin në Bruksel. Ishte deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi e cila ngriti pyetjet.

“Pyetja ime ishte cilat do të jenë temat që do i negocioni të hënën me Vuçiçin, sidoqoftë nëse plani franko-gjerman nuk është produkt i palëve negociuese tani, pra i juaji, atëherë ju thatë që ky është produkt i marrëveshjeve negociatave të mëhershme, pra ja keni borxh qeverive të mëhershme, këtij vendi, të kërkoni falje për të gjitha qëndrimet që i keni pasur deri më tani lidhur me marrëveshjet në Bruksel”, tha ajo.

/rtsh.al/