RTSH 24 Live

Kosovë

Sulmi terrorist në veri të Kosovës, tërhiqet Vuçiq: Ata që kanë kryer vepra kriminale do japin llogari

02/10/2023

Sulmi terrorist në veri të Kosovës, tërhiqet Vuçiq: Ata që kanë kryer vepra kriminale do japin llogari

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se Beogradi do të kërkojë llogari për të gjithë personat që kanë kryer vepra kriminale dhe ndodhen në Serbi teksa u pyet nga gazetarja e CNN mbi autorët e sulmit terrorist serb në veri të Kosovës.

Sipas tij, “prokuroria do të bëjë punën e saj” në lidhje me Milan Radoiçiqin, i cili pranoi përfshirjen e tij në ngjarjen e rëndë në Banjskë.

Serbia sigurisht që do të kërkojë llogari nga të gjithë personat që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Ai (Milan Radoiçiq) është gjithashtu i disponueshëm në territorin tonë dhe prokuroria do të bëjë punën e saj”, tha Vuçiq për CNN.

Në një intervistë me Christiane Amanpour, ai tha se raportet e SHBA-së për grumbullimin e pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë Kosovës “nuk ishin plotësisht të sakta”.

Megjithatë, ai tha se numri është zvogëluar dhe se Serbisë nuk i duhen luftëra dhe konflikte me NATO-n, por përkundrazi, i shkon për shtat një prani më e madhe e KFOR-it, veçanërisht në veri.

Gjithmonë kemi dëgjuar kur partnerët tanë na kërkuan të de-përshkallëzojmë situatën”, tha Vuçiq.

Presidenti i Serbisë deklaroi se ushtria po monitoron situatën në terren dhe se ka lëvizur forcat pasi “kanë besuar se mund të jetë më e dobishme”.

Ai theksoi se nuk ka firmosur që ushtria të ngrihet në një nivel më të lartë gatishmërie.

"Serbia është vendi i fundit që kishte nevojë për ato incidente në Kosovë, të gjithë mund ta shihnin se Serbia ishte një partner konstruktiv", tha Vuçiq.

Ai akuzoi Prishtinën se po kryen “spastrim gradual etnik” në veri, për të cilën Amanpour tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA nuk pajtohen me këtë vlerësim.

Ajo i ka kujtuar Vuçiqit se pas negociatave në Ohër, ai ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “i dhemb krahu”, dhe e ka pyetur nëse ka ende dhimbje apo është gati për marrëveshje, për të cilën Vuçiq ka thënë se Serbia është konstruktive.

Kam bërë gjithçka që u kam thënë miqve tanë nga SHBA-ja dhe BE-ja se do të bëj, dhe ekziston kushtetuta e Serbisë, duhet ta respektoj atë”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse mbështet liderin e Republika Srpska Milorad Dodik dhe destabilizimin e Bosnje-Hercegovinës, ai tha se mbështet Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe integritetin territorial të BiH dhe se kurrë nuk e ka vënë në dyshim këtë.

Të dielën e 24 shtatorit një grup terrorist serb i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa më pas u strehuan në manastirin e fshatit Banjskë në veri të Kosovës.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për konfliktin në Banjskë duke pretenduar se autoritetet në Beograd nuk kishin asnjë lidhje me të.

Nga ana tjetër, Prishtina ka akuzuar Beogradin se qëndron pas grupit të Radoiçiqit. Madje Policia e Kosovës nxori prova me video se si grupi i tij ishte trajnuar në terrenin ushtarak Pasuljanska Livada në Serbinë qendrore përpara se të kryenin aktin terrorist të 24 shtatorit.

/rtsh.al/