RTSH 24 Live

Politikë

Sulmet ndaj SPAK, ambasada e SHBA: Në krah të drejtësisë, t’i japë fund pandëshkueshmërisë

17/04/2024

Sulmet ndaj SPAK, ambasada e SHBA: Në krah të drejtësisë, t’i japë fund pandëshkueshmërisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka reaguar pas sulmeve ndaj institucioneve të drejtësisë përgjatë ditëve të fundit, veçanërisht ndaj Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Duke përshëndetur qëndrimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ndaj sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që janë bërë kundër SPAK-ut, ambasada e SHBA-së vë në dukje se do të vijojë të qëndrojë krah shqiptarëve që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë.

Ambasada e SHBA-së shton se qëndron në krah të profesionistëve dhe do të mbështesë të gjithë profesionistët dhe ata që kërkojnë t’i japin fund ndëshkueshmërisë.

Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit.

Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë.

SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t'i japin fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambasada amerikane në reagimin e saj.

Ndërkaq, ditën e djeshme kreu i Partisë së Lirisë sulmoi kreun e SPAK-ut Altin Dumani.

Të përdoret një institucion si SPAK për të marrë peng pluralizmin politik, ajo që ka ndodh me Berishën është përpjekje për të marrë peng PD, për të marrë peng PL. Këto nuk do ndodhin kurrë, kjo do jetë shumë e qartë. Do t’i japë fund pandëshkueshmërisë të shkojë t’i vërë hekurat Ramës. Ca ndrite në këto 3 vjet, arrestoi drejtorët që të shpëtosh kryebashkiakun, arreston drejtorët që të shpëtojë ministrat. Ta ka thënë vetë Ahmetaj kush është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës. Ti s’ke fuqi t’i gjesh dhe s’të lënë t’i gjesh se je i kapur. Unë njeri nuk kërcënojmë por unë jam Ilir Meta o superbudallenj, o super tarallakë, kudo ku jeni në politikë e SPAK. Ai të ketë kujdes se do ku do ikë nëse vazhdon me veprime të paligjshme, mafioze”, u shpreh me tone të ashpra, Ilir Meta.

Pas sulmeve të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj strukturave të drejtësisë, reagoi edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duke kërkuar që të ndalen sulmet ndaj drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta”, thuhet në deklaratën e KLP.

/rtsh.al/