RTSH 24 Live

Politikë

“Sy m’Sy”, Rama: Shqipëria po bëhet, faktet janë atje, ku janë njerëzit e punës, dhe jo tek kanalet e portalet e llumit

4 orë para

“Sy m’Sy”, Rama: Shqipëria po bëhet, faktet janë atje, ku janë njerëzit e punës, dhe jo tek kanalet e portalet e llumit

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën më të fundit të publikuar në rrjetet sociale “Sy m’Sy”, ku ai u përgjigjet komenteve të ndjekësve, deklaroi se Shqipëria do të bëhet dhe se ndryshimet janë reale.

Rama, në postimin e tij, veçoi dy mesazhe në të cilat pretendohej se në Shqipëri ka varfëri dhe se nuk është zhvilluar infrastruktura e nevojshme për t’ju përgjigjur zhvillimit të agroturizmit.

Lidhur me varfërinë, Rama iu përgjigj një komentuesi i cili kishte shkruar: “E bukura është kur gjen ca debila që të duartrokasin. Mirë që nuk thua si Enveri, që po vdesin për bukë ata në Itali e sidomos në Angli”.

Duke marrë shkas nga ky pretendim kryeministri shpjegoi se nuk kishte asgjë të çuditshme nga pjesëmarrja e të rinjve në një kuvend rinor dhe se zhvillimi i Thethit nga investimet e të kthyerve nga emigrimi është fakt.

“Ligor unë nuk them që po vdesin për bukë në Itali apo Angli, se për bukë nuk ka vdekur askush, as në Shqipëri që nga koha e Skënderbeut të paktën.

Por më vjen keq për ty, dhe disa të tjerë që shajnë disa të rinj pse duartrokasin në kuvendin e tyre rinor. Ndërkohë që çfarë thash për Thethin ta konfirmoj përsëri ty dhe atyre sharësve që nuk dinë se çfarë thonë. Po i dashur i njoh, kam qëndruar me ta, kam parë investimet që kanë bërë atje me kursimet e emigracionit dhe po them që: Po, njeriu që ndihmon familjarët e tij në Itali nga Thethi, falë të ardhurave që krijon nga puna atje, në mal, pasi është kthyer nga Italia në atë vend, ku ata njerëz e kanë bërë Thethin destinacion evropian, është njeri real dhe nuk është i vetmi”, deklaroi Rama.

Lidhur me pretendimet e një komentuesje për infrastrukturën, Rama iu përgjigj që agroturizmi në Shqipëri është tashmë një industri e lehtë reale dhe jo fantazi.

“Ndërsa ty Rita të them thjeshtë se agroturizmi në Shqipëri nuk është fantazi, por është një industri e lehtë reale, e cila po krijohet duke treguar përditë se si shpërblehet investimi dhe në fshatin më të largët. Po ta shikosh Shqipërinë nga pasqyrat e kanaleve dhe portaleve, ashtu është: këtu vdesin për bukë dhe vriten rrugëve. Çdo vit vijnë me miliona “budallenj” nga jashtë që thonë se Shqipëria ka mikpritje dhe ushqim të jashtëzakonshëm kudo, është më e lirë se sa andej nga ata vijnë, ka bukuri përrallore dhe siguri shembullore. Mirë këta që vijnë, por janë edhe ata që ulen me ne për ta negociuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda 2030, që janë “çmendur” fare, ata kanë “rrjedhur” krejt. Duan të fusin në BE një “narkoregjim”, ku është ngjallur Enveri, siç thotë Ligori dhe qeveria vjedh popullin dhe populli ikën nga sytë këmbët ose vritet e vdes rrugëve për bukë”, u përgjigj Rama.

Kryeministri nënvizoi se pas 11 majit, Shqipëria do të “pastrohet” edhe më tej nga kanalet dhe nga portalet e llumit.

“Shqipëria po bëhet, ndryshimet janë reale, faktet janë të gjitha atje, ku janë njerëzit e punës, sipërmarrjet, ku është jeta e përditshme që nuk shihet nga kanalet dhe nga portalet e llumit, se ka dhe llum patjetër. Ka akoma, por edhe llumi po pastrohet kudo ku është, dhe do të pastrohet edhe më shumë më 11 maj, ndaj kini besim Shqipëria po bëhet”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/