Partia Demokratike zhvilloi një takim me emigrantët shqiptarë në Greqi, ku kërkoi mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 11 majit. Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, dhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, vlerësuan kontributin e diasporës dhe theksuan rëndësinë e votës së tyre.
“Ky i sotmi është një bashkim i njerëzve që janë mbledhur dhe po luftojnë për të shpëtuar Shqipërinë. Për ta nxjerrë vendin nga një errësirë ku e ka zhytur Edi Rama dhe qeveria e tij, dhe për ta kthyer Shqipërinë në shinat normale të zhvillimit dhe integrimit”, tha Noka
“Ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj. Ju e dini se në 12 vite, edhe për shkak se politika kryesore e Edi Ramës ishte të largonte shqiptarët, ne pa ju nuk ia dolëm dot”, tha Bardhi.
Në takim mori pjesë edhe eurodeputeti Fredi Beleri, i cili iu drejtua simpatizantëve të PD-së duke i inkurajuar të mos bien pre e propagandës dhe të dalin masivisht në votime.
“Mos dëgjoni propagandë se PD është e përçarë, nuk punon dhe nuk merren vesh. PD punon, kaq është mundësia. Ata që punojnë dhe bëjnë dhe gabime. Duhet të na i falni gabimet dhe të bashkohemi se kemi para një rrezik shumë më të madh”, u shpreh Beleri.
PD e cilësoi votën e diasporës si vendimtare, duke e quajtur atë “momentin më të rëndësishëm në 34 vite demokraci.”
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/