RTSH 24 Live

Lindja e Mesme

Sulmet ndaj forcave të OKB-së, SHBA apel Izraelit: Siguro jetën e paqeruajtësve në Liban

2 orë para

Sulmet ndaj forcave të OKB-së, SHBA apel Izraelit: Siguro jetën e paqeruajtësve në Liban

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka telefonuar ministrin e mbrojtjes të Izraelit këtë mbrëmje duke i kërkuar atij që të garantojë sigurinë e forcave Unifil në Liban, duke iu referuar misionit paqeruajtës të OKB-së.

Austin ka deklaruar se ka biseduar me Yoav Gallant për të diskutuar operacionet e Izraelit në Liban, ndërsa shton se ai ripohoi mbështetjen e SHBA-së për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe një angazhim të SHBA-ve për një marrëveshje diplomatike që kthen në mënyrë të sigurt civilët libanezë dhe izraelitë në shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për një ndjekur rrugën diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur.

Nga ana e saj, forcat paqeruajtëse e OKB-së, Unifil kanë nënvizuar se selia e saj në qytetin jugor të Libanit, Naqoura, është prekur nga shpërthimet për herë të dytë në 48 orë.

Shpërthimet ndodhën pranë një kulle vëzhgimi ku u plagosën dy ushtarë.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se goditi bazën e Unifil të premten kur trupat identifikuan një kërcënim aty pranë dhe hapën zjarr.

Të enjten, dy ushtarë indonezianë u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi një tank izraelit qëlloi drejt saj.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e dënoi sulmin, duke thënë para incidentit të fundit se ai ishte “i patolerueshëm dhe nuk mund të përsëritet”.

Forcat tokësore izraelite nisën një pushtim tokësor në Libanin jugor muajin e kaluar, ndërsa përshkallëzuan reagimin e tyre ndaj sulmeve me raketa ndaj grupit të armatosur libanez, Hezbollah.

/rtsh.al/