RTSH 24 Live

Politikë

Sulmet ndaj Dumanit dhe SPAK, BE: Frikësimet kundër anëtarëve të gjyqësorit s’kanë vend në një demokraci

17/04/2024

Sulmet ndaj Dumanit dhe SPAK, BE: Frikësimet kundër anëtarëve të gjyqësorit s’kanë vend në një demokraci

Pas Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë edhe asaj Britanike, edhe Bashkimi Europian ka dënuar sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe drejtuesit të këtij institucioni, Altin Dumani.

Në një postim në Twitter, BE shkruan se sulmet apo frikësimet kundër anëtarëve të gjyqësorit “nuk kanë vend në një demokraci”. BE thekson mbështetjen ndaj SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Sulmet apo frikësimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në një demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për deklaratat e fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruhet në postimin në Twitter.

Më herët edhe ambasada britanike dhe ajo Amerikane deklaruan se qëndrojnë në krah të SPAK dhe prokurorëve që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë.

Ditët e fundit kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka vijuar sulmet ndaj SPAK dhe kreut të këtij institucioni Altin Dumani duke e akuzuar si “vrasës të pluralizmit politik”.

/rtsh.al/