RTSH 24 Live

Politikë

Veliaj në SPAK, Kryemadhi: Kallëzimet për incineratorët, kontributi im më i madh si kryetare e LSI-së

30/04/2024

Veliaj në SPAK, Kryemadhi: Kallëzimet për incineratorët, kontributi im më i madh si kryetare e LSI-së

Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, aktualisht deputete e Partisë së Lirisë, ka reaguar pasi kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj dëshmoi sot (30 prill) në SPAK lidhur me hetimet për Incineratorin e Tiranës.

Kryemadhi ka hedhur vazhdimisht akuza në drejtim të Veliaj dhe po ashtu ka depozituar edhe kallëzime për incineratorët, gjatë kohës që ajo ishte në krye të LSI-së.

Sipas saj, thirrja e Veliajt në SPAK për t’u pyetur për incineratorët “është standard i ri që vendosëm bashkërisht për mënyrën se si hetohet korrupsioni qeveritar”.

Falenderoj me përulje ekipin e profesionistëve, që më ndihmuan pa u lodhur për të realizuar kontributin tim më të madh politik si Kryetare e LSI, atë të KALLËZIMIT PENAL të aferës së inceneratorëve. Falë një pune hetimore që ka zgjatur disa vite, eksperienca e tyre profesionale bëri të mundur që një mal me prova ti vendoseshin në dispozicion prokurorisë speciale anti korrupsion për shkeljet ligjore të zyrtarëve publikë, shoqëruar me analizën e detajuar të krimeve financiare.

Sot, ne, shqiptarët dhe ndërkombëtarët, po shohim një hap tjetër drejt misionit që morëm përsipër. Është ky standard i ri që vendosëm bashkërisht për mënyrën se si hetohet korrupsioni qeveritar, e cila ka bërë që Erion Veliaj, nga zyrtar i maxhorancës i cili kërcënonte në emër të drejtësisë, të shkojë sot e të përgjigjet para SPAK për abuzimet e tij”, shkruan Kryemadhi.

Sipas saj, në kallëzimet e depozituara në SPAK përmenden “kokat e korrupsionit të qeverisë”.

Kallëzimet e firmosura për aferën e inceneratorëve janë aty si dëshmi e qartë e vullnetit tim dhe kolegëve të LSI, që më mbështetën në çdo hap, për papajtueshmërinë me korrupsionin qeveritar! Aty janë të kallëzuar kokat e korrupsionit të qeverisë dhe shqiptarët presin me padurim fundin e një drejtësie selektive ku ligji funksionon "me mik".

Me një sistem drejtësie të pavarur dhe që punon shpejt për të ndaluar korrupsionin, paratë e vjedhura do t'i ktheheshin shqiptarëve dhe e gjithë qeverisja do të ripërtërihej. E drejta vonon por drejtësi do të ketë një ditë! Unë do të vazhdoj luftën dhe falenderoj çdo njeri që kontribuoi për këtë ditë ku muri i madh mbrojtës për pandëshkueshmërinë e qeverisë së inceneratorëve, u ça”, përfundon reagimin e saj Kryemadhi.

Veliaj dëshmoi sot (30 prill) për 8 orë në SPAK, por preferoi të mos jepte detaje lidhur me atë se çfarë u pyet nga prokurorët e SAPK. Veliaj tha shkurtimisht se pati një “ezaurim total” të çështjes së incineratorëve.

/rtsh.al/