RTSH 24 Live

Botë

Sulmet izraelite në Bregun Perëndimor, OKB: Po rrezikohet jeta e civilëve

28/08/2024

Sulmet izraelite në Bregun Perëndimor, OKB: Po rrezikohet jeta e civilëve

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim për ofensivën ushtarake të Izraelit në qytetet veriore të Bregut Perëndimor, duke paralajmëruar se civilët po ekspozohen ndaj "taktikave vdekjeprurëse të luftës" nga forcat izraelite.

“Ne i kemi ndjekur zhvillimet që nga mëngjesi me shqetësim të madh dhe jemi shumë të shqetësuar për atë që po shohim” u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric gjatë një konference shtypi.

Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Dujarric tha se palestinezët janë “gjithnjë e më shumë të ekspozuar ndaj taktikave vdekjeprurëse të luftës që duket se tejkalojnë standardet ndërkombëtare për zbatimin e ligjit”.

Ai raportoi se të paktën nëntë palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë dhe të tjerë u plagosën në operacionet që përfshinin helikopterët izraelitë, dronët dhe forcat tokësore.

“Shumica e njerëzve të vrarë ishin viktima të sulmeve ajrore, ndërsa të tjerët ishin në shënjestër të zjarrit snajper dhe mjeteve të tjera vdekjeprurëse. Gjithashtu janë vërejtur buldozerë ushtarakë duke shkatërruar infrastrukturën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në rrugë dhe pajisje elektrike," shtoi ai, duke theksuar se kjo ka rezultuar në ndërprerjet e energjisë në të gjithë kampin e refugjatëve Jenin.

Dujarric theksoi ndikimin në objektet e kujdesit shëndetësor, duke thënë: "Forcat izraelite kryen gjithashtu operacione në afërsi të katër spitaleve -- dy në Jenin dhe dy në Tulkarm. Spitalet janë rrethuar, duke ndikuar rëndë të gjitha lëvizjet brenda dhe jashtë atyre objekteve, veçanërisht për ekipet mjekësore”.

Duke ofruar një kontekst më të gjerë, Dujarric zbuloi se që nga 7 tetori, më shumë se 630 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jeruzalemin Lindor.

“Mbi 140 prej tyre u vranë në rreth 50 sulme ajrore”, tha ai, duke theksuar se “forcat izraelite duhet t'u përmbahen standardeve ndërkombëtare të policisë, ku forca vdekjeprurëse dhe armët e zjarrit janë zgjidhja e fundit dhe mund të përdoren vetëm kundër një kërcënimi të afërt vdekjeje ose serioze.

Tensionet kanë qenë të larta në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar mes një ofensive brutale izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka marrë më shumë se 40,500 jetë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga 7 tetori 2023.

/rtsh.al/