RTSH 24 Live

Botë

Aborti dhe dëbimi i emigrantëve, Papa Françesku: Kamala Harris dhe Donald Trump janë kundër jetës

13/09/2024

Aborti dhe dëbimi i emigrantëve, Papa Françesku: Kamala Harris dhe Donald Trump janë kundër jetës

Papa Françesku ka deklaruar se kandidatët për president të SHBA-ve, si Kamala Harris dhe Donald Trump janë kundër jetës duke iu referuar qëndrimit të tyre mbi abortin dhe emigracionin.

Duke biseduar me gazetarët në aeroplanin papal teksa kthehej nga një udhëtim maratonë në Azi, Papa Franccesku theksoi se të dy janë kundër jetës pasi Donald Trump ka në plan të largojë emigrantët nga SHBA ndërsa Kamala Harris ka premtuar se do të lejojë abortin nëse zgjidhet presidente.

I pyetur nga gazetarët se çfarë do t’i këshillonte një votuesi që do të ishte i detyruar të zgjidhte midis këtyre dy kandidatëve, (Harris që mbështet të drejtat e abortit dhe Donald Trump që ka thënë se do të dëbonte 11 milionë emigrantë) Papa tha se “ata të dy janë kundër jetës - ai që hedh tutje emigrantët dhe ajo që vret fëmijët”.

Papa trajtoi temat, që u shfaqën dukshëm në debatin presidencial midis Harris dhe Trump, ndërsa foli me gazetarët në një fluturim nga Singapori në Xhakartë teksa kthehej në Romë nga një turne 12-ditor në Azi dhe Paqësor.

I pyetur nëse kishte ndonjë rrethanë në të cilën do të ishte moralisht e lejueshme që një votues të votonte për një kandidat që mbështet të drejtat e abortit, Françesku tha kur merret parasysh morali politik, "duhet votuar".

“Një njeri duhet të zgjedhë të keqen më të vogël nga dy të këqijat”, tha ai, ndërsa shtoi se “kush është e keqja më e vogël nga dy të dyja, zonja apo zotëria, nuk e di”.

Papa Françesku tha se votuesit  amerikanë duhet të shqyrtojnë ndërgjegjen e tyre dhe të marrin vendimin përpara se të shkojnë në votime.

“Duhet të jetë e qartë se të largosh emigrantët, t'u mohosh migrantëve aftësinë për të punuar, për të mos pritur emigrantë, është mëkat. Është e rëndë”, tha Papa.

Papa Françesku tha se emigracioni ishte një e drejtë që daton që nga kohërat biblike dhe vuri në dukje se në Dhiatën e Vjetër të Biblës përsëritej se populli i Izraelit kishte për detyrë “të kujdesej për jetimin, të venë dhe të huajin - d.m.th. , emigrantin”

Ai përsëriti gjithashtu qëndrimin e Kishës Katolike se aborti është vrasje. “Të pëlqen apo jo fjala, ajo është një vrasje”, tha ai. “Është një atentat dhe për këtë duhet të jemi të qartë”.

/rtsh.al/