RTSH 24 Live

Botë

Ukraina të sulmojë brenda Rusisë? Shtëpia e Bardhë: Politika e SHBA-ve s’ka ndryshuar

13/09/2024

Ukraina të sulmojë brenda Rusisë? Shtëpia e Bardhë: Politika e SHBA-ve s’ka ndryshuar

Zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby ka deklaruar se SHBA nuk po planifikon ndonjë ndryshim në kufijtë që ka vendosur në përdorimin e armëve të prodhuara nga SHBA në Ukrainë për të goditur territorin rus.

Ndërkohë që kryeministri britanik Sir Keir Starmer besohet se po kërkon miratimin e presidentit amerikan Joe Biden për të lejuar Ukrainën të përdorë raketat e prodhimit britanik dhe francez, “Storm Shadow” për të goditur Rusinë, Kirby tha në konferencën për shtyp se “nuk mund të flas për britanikët apo francezët. Sa i përket aftësisë së raketave me rreze të gjatë veprimin për t’i përdorur brenda Rusisë, nuk ka asnjë ndryshim të politikës sonë në lidhje me këtë çështje”

Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka njoftuar sanksione të reja kundër kanalit të medias ruse RT, duke e akuzuar atë si një “krah de facto të aparatit të inteligjencës ruse”.

Blinken është shprehur se gazetarëve se RT është pjesë e një rrjeti mediash të mbështetura nga Rusia, të cilat janë përpjekur të "minojnë në mënyrë të fshehtë demokracinë në Shtetet e Bashkuara".

Ai shton se qeveria ruse ka "ngulitur brenda RT, një njësi me aftësi operacionale kibernetike dhe lidhje me inteligjencën ruse". Rrjeti, thotë Blinken ka kërkuar gjithashtu të ndikojë në politikën e Moldavisë në koordinim me inteligjencën ruse përpara zgjedhjeve presidenciale në tetor 2024.

Kur SHBA vendosi sanksione ndaj disa prej redaktorëve kryesorë të RT javën e kaluar, organizata mediatike e financuar nga shteti rus reagoi me përbuzje dhe ironi duke thënë se “tre gjëra janë të sigurta në jetë: vdekja, taksat dhe ndërhyrja e RT në zgjedhjet amerikane”.

/rtsh.al/