RTSH 24 Live

Botë

Kompania Gold Apollo: Pajisjet që u kthyen në bomba kundër Hezbollahut u bënë në Budapest

18/09/2024

Kompania Gold Apollo: Pajisjet që u kthyen në bomba kundër Hezbollahut u bënë në Budapest

Një reagim i kompanisë tajvanze Gold Apollo, e cila mendohej se kishte prodhuar biperat që shpërthyen në Liban e Siri, i ka dhënë tjetër dimension ngjarjes së rëndë me 9 viktima e mbi 2,700 të plagosur.

Gold Apollo pretendon se mijërat biperat që shpërthyen pasditen e së martës (17 shtator), janë prodhuar nga një kompani me bazë në Hungari.

Në njoftim thuhet se biperat AR-924 janë prodhuar nga BAC Consulting KFT, me seli në Budapest, të cilës kompania tajvaneze i kishte dhënë leje për të përdorur markën e saj.

“Sipas marrëveshjes, ne i kishim dhënë leje BAC për të përdorur markën për shitjen e produkteve në rajone të caktuara, por dizajni dhe prodhimi i produkteve ishin tërësisht përgjegjësi e BAC”, thuhet në njoftimin e Gold Apollo.

Në deklaratat e tij, presidenti i Gold Apollo, Hsu Ching-Kuan, përmendi se marrëveshja me BAC hungareze ka qenë në fuqi për tre vitet e fundit.

“Kjo kompani ka bashkëpunuar me ne dhe shet shumë nga produktet tona. Ata donin të prodhonin pager, kështu që kërkuan leje për të përdorur emrin e kompanisë sonë", tha Hsu.

Megjithatë, kur gazetarët e pranishëm kërkuan më shumë detaje rreth marrëveshjes dhe kompanisë hungareze, Hsu jo vetëm që nuk paraqiti asnjë dokument, por u largua pa dhënë përgjigje të mëtejshme.

Shumë nga viktimat dhe të plagosurit nga sulmi me bipera, janë anëtarë të Hezbollahut. Shpërthimet ndodhën kryesisht në zonat ku grupi ka një prani të fortë, veçanërisht në një periferi jugore të Bejrutit dhe në rajonin Beqaa të Libanit lindor, si dhe në Damask, sipas zyrtarëve libanezë të sigurisë dhe një zyrtari të Hezbollahut.

Hezbollahu, i cili ia ka hedhur fajin Izraelit, tha në një deklaratë mëngjesin e kësaj të mërkure (18 shtator) se do të vazhdojë sulmet e tij normale kundër Izraelit "si në të gjitha ditët e kaluara" si pjesë e asaj që e përshkruan si një front mbështetës për aleatin e tij, Hamasin dhe Palestinezët në Gaza.

"Kjo rrugë është e vazhdueshme dhe e ndarë nga llogaria e vështirë që armiku kriminel duhet të presë për masakrën e tij të martën që kreu kundër popullit tonë, familjeve tona dhe luftëtarëve tanë në Liban, Ky është një tjetër llogari që do të vijë, në dashtë Zoti”, tha ai.

Hezbollahu filloi të lëshonte raketa mbi kufirin me Izraelin më 8 tetor, një ditë pasi një sulm vdekjeprurës i udhëhequr nga Hamas në Izraelin jugor shkaktoi një kundërofensivë masive izraelite dhe luftën e vazhdueshme në Gaza. Që atëherë, Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë, duke vrarë qindra në Liban dhe dhjetëra në Izrael dhe duke zhvendosur dhjetëra mijëra në secilën anë të kufirit.

/rtsh.al/